Marina franceze sekuestron 3.3 tonë metamfetaminë nga një cisternë pa flamur në Paqësor
Marina franceze ka sekuestruar më shumë se 3.3 tonë metamfetaminë nga një cisternë që lundronte pa flamur në Oqeanin Paqësor, njoftoi ushtria franceze, siç njofton Euronews duke cituar agjencinë AP. Anija u ndalua të premten, më 20 nëntor, pas disa javësh vëzhgimi.
Operacioni u koordinua nga qendrat e informacionit detar në Polinezinë Franceze dhe Kaledoninë e Re, së bashku me partnerë ndërkombëtarë. Anija ishte vërejtur më herët pranë ishullit francez Clipperton, në Paqësorin verior, në perëndim të Meksikës. Një ekip nga një fregatë franceze hipi në bord dhe mori kontrollin e anijes, me mbështetje ajrore nga helikopteri i fregatës, një avion ushtarak francez Falcon 50 dhe një avion patrullimi detar i Rojës Bregdetare të SHBA-së.
Gjatë kontrollit, forcat franceze gjetën 150 thasë që rezultuan pozitivë për metamfetaminë, me një peshë totale prej 3,328 kilogramësh. Ngarkesa e sekuestruar u dërgua në Tahiti, ku do të shkatërrohet pas ekzaminimeve të mëtejshme.
Sipas rregullave ndërkombëtare, anija dhe ekuipazhi i saj u lanë të lirë pas sekuestrimit të ngarkesës. Autoritetet franceze thonë se ujërat territoriale të tyre në Paqësor ndodhen në një nga rrugët që përdorin trafikantët nga vendet prodhuese të Amerikës Qendrore dhe Jugore drejt destinacioneve si Australia dhe Zelanda e Re.
Me këtë operacion, sasia totale e drogës së sekuestruar nga forcat e armatosura franceze në rajonin e Paqësorit që nga fillimi i vitit kalon 15 tonë.