E mërkurë, 25 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Talebanët u heqin grave identitetin në dokumentet zyrtare, emrat zëvendësohen me “Bibi”

Talebanët u heqin grave identitetin në dokumentet zyrtare, emrat zëvendësohen me “Bibi”

Autoritetet talebane në Afganistan kanë urdhëruar heqjen e emrave të grave nga dokumentet zyrtare dhe ato shëndetësore në provincën Balkh, në veri të vendit, duke i zëvendësuar me termin e përgjithshëm “Bibi”, që përdoret tradicionalisht për t’iu drejtuar grave të moshuara.

Udhëzimi prek dokumentacionin administrativ dhe atë mjekësor, përfshirë dosjet e pacienteve dhe recetat. Sipas urdhrit, punonjësit e administratës publike dhe të sektorit shëndetësor nuk duhet të përdorin më emrat e grave, por t’i identifikojnë ato përmes këtij përcaktimi.

Masa përbën një tjetër kufizim të të drejtave dhe identitetit të grave në Afganistan, që prej rikthimit të talebanëve në pushtet në gusht të vitit 2021. Për momentin, direktiva zbatohet në provincën Balkh dhe nuk ka konfirmim nëse do të shtrihet edhe në pjesën tjetër të vendit.

Termi “Bibi” përdoret tradicionalisht si shenjë respekti ndaj grave të moshuara. Megjithatë, aktivistët afganë kundërshtojnë përdorimin e detyruar të tij për të gjitha gratë, duke argumentuar se kjo praktikë fshin identitetin e tyre individual dhe i redukton në një emërtim të përbashkët.

Shqetësime të veçanta lidhen me pasojat që kjo masë mund të ketë në sistemin shëndetësor. Identifikimi i pacienteve me të njëjtin përcaktim mund të krijojë konfuzion në spitale dhe të vështirësojë administrimin e dokumentacionit, përshkrimin e barnave, vendosjen e diagnozave dhe ndjekjen e trajtimeve.

Aktivistët paralajmërojnë gjithashtu për praktika të tjera poshtëruese, ku grave u drejtohen me epitete që lidhen me kafshët, si “dhi” apo “bagëti”. Sipas tyre, këto veprime nuk janë thjesht shprehje të zakoneve konservatore, por pjesë e një procesi më të gjerë të çnjerëzimit të grave.

Heqja e emrave nga dokumentet zyrtare i shtohet një sërë kufizimesh të vendosura nga talebanët gjatë viteve të fundit. Grave në Afganistan u ndalohet vijimi i arsimit të mesëm dhe universitar, ndërsa përballen me pengesa të rënda në punësim dhe pjesëmarrjen në jetën publike.

Megjithatë, kjo praktikë nuk është krejtësisht e re në shoqërinë afgane. Për vite me radhë, shumë gra janë identifikuar në dokumentet familjare përmes lidhjes me një burrë, si “bashkëshortja e” apo “vajza e”, në vend që të shënohej emri i tyre.

Në vitin 2020, një fushatë për të drejtat e grave arriti të mundësonte përfshirjen vullnetare të emrave të nënave në disa dokumente zyrtare, përfshirë certifikatat e lindjes së fëmijëve. Urdhri i fundit përbën një hap pas në këtë drejtim dhe ngre shqetësime për një tjetër përpjekje për të kufizuar identitetin dhe të drejtat e grave afgane.

Lini një koment