Mazniku e thotë prerë: Edi Rama nuk e jep dorëheqjen! S’ka dhunë të tejkaluar nga policia
Deputeti i Partisë Socialiste Arbian Mazniku, është pjesë e panelit të mbrëmjes së sotme në “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu, për të komentuar zhvillimin e shtatëve ditëve protestë në kryeqytet dhe jo vetëm.
Mazniku e tha prerë se kryeministri Edi Rama nuk ka ndërmend që të japë dorëheqjen pavarësisht revoltës studentore apo qytetare.
I pyetur nëse këto protesta kanë ndikim te qeveria, deputeti Mazniku e paralelizon situatën në Shqipëri me atë në Francë, Itali apo dhe Portugali ku ka kryengritje studentore masive.
Arbian Mazniku gjithashtu komentoi dhe përplasjet e dhunshme mes forcave policore dhe të rinjve protestues. Ai u shpreh se në rast të përdorimit të dhunës nga qytetarët, policia ka të drejtë të përdorimit të forcës proporcionale, ndërsa nuk mohoi dhe faktin se ka raste të tejkalimit të kompetencave dhe nevojës për verifikime.
“Gjuha është e rëndësishme. Kur vjen puna te reagimi i policisë, janë studentë, kur vjen te thyerja e dyqaneve, janë protestues. Protestuesit kanë të drejtë të protestojnë dhe policia është aty për të ruajtur të drejtën e tyre. Në rastin që ka përdorim të dhunës nga protestuesit, policia ka detyrim të përdorë dhunë proporcionale, siç është duke ndodhur edhe në qytetet e Evropës. Nëse ka tejkalim, duhet ndjekur dhe të merren masat respektive. Reagimi i policisë shqiptare është shumë herë më i përmbajtur se në protestat në Itali, Francë. Parimi i përgjithshëm, policia është duke tentuar të mbajë proporcionalitetin”, tha Mazniku.