Friday, 25 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kampionati boteror›Merkato jashtë kontrollit, UEFA ngre alarmin: ‘Flluska’ Premier League, rrezik për Europën

Merkato jashtë kontrollit, UEFA ngre alarmin: ‘Flluska’ Premier League, rrezik për Europën

Rritja e madhe e kostove për transferimet e lojtarëve krijon një model “të brishtë” për klubet angleze, me pasoja të mundshme negative në gjithë futbollin europian.

Alarmi vjen nga përgjegjësi i sektorit financiar të UEFA-s, Andrea Traverso, pas raportit vjetor të ‘European Club Talent and Competition Landscap’.

Financat e klubeve në gjithë Europën janë bërë më “të brishta” për shkak të boom-it të shifrave të shpenzuara dhe rritjes së borxheve që lidhen me operacionet e merkatos, me klubet britanike veçanërisht të ekspozuara. Shpenzimet totale të merkatos së fundit verore për herë të parë kaluan tavanin e 10 miliardë eurove, me +8% në krahasim me 2025-ën dhe +43% në krahasim me 2019-ën, para pandemisë.

Ky fluks në fakt nuk është shpërndarë në mënyrë uniforme. Klubet angleze janë përgjegjës të gati gjysmës së shpenzimeve totale. Dhe gati gjysma e kësaj shifre ka mbetur brenda vendit, sepse janë të vetmit në Europë në gjendje të përballojnë këto çmime.

Vlera e transferimeve brenda merkatos angleze ka qenë më e madhe se shuma e të gjitha merkatove të tjera kombëtare europiane. Raporti flet për “shpejtësi të dyfishtë” dhe “polarizim” të merkatos.

Nëse nga një anë kjo gjë reflekton supremacinë financiare të Premier League, në anën tjetër e bën futbollin e saj më vulnerabël ndaj korrigjimeve të merkatos globale të transferimeve.

“Vlerësimet vazhdojnë të rriten ndjeshëm, veçanërisht në merkaton angleze, duke shtuar presionin mbi rezultatin e ardhshëm financiar të klubeve, për shkak të kostove më të larta të amortizimit – nënvizon Traverso. – Aktualisht këto kosto kompensohen pjesërisht nga fitimet e konsiderueshme të kapitalit, por e gjitha kjo krijon një model më të brishtë. Klubet varen gjithmonë e më shumë nga inflacioni dhe likuiditeti i tregut”.

Ky rrezik amplifikohet nga fakti se shumë blerje nuk likuidohen menjëherë. Pagesat shpesh shpërndahen në disa vite. Rezultati është një nivel në rritje i borxheve që lidhen me transferimet dhe varësi më e madhe nga fluksi i arkëtimeve të ardhshme për të financuar investimet e kaluara.

Një nga të dhënat më surprizuese është që klubet angleze kanë paguar mesatarisht 24 milionë euro për çdo lojtar të blerë, ndërkohë që kampionatet e tjera kryesore europiane kanë një mesatare më pak se 5 milionë euro. Një sinjal i qartë i fuqisë së blerjes së Premier, por edhe i ekspozimit të saj ndaj një kolapsi të vlerave të merkatos.

Raporti nuk përmban vetëm sinjale alarmi. Sezonin e kaluar, për shembull, pjesëmarrja e përgjithshme në stadiumet europiane ka arritur rekordin e 242 milionë spektatorëve, duke shënuar një rritje 15% në krahasim me periudhën para pandemisë. Premier është në krye, natyrisht, me 15.8 milionë të pranishëm, pastaj vijnë Gjermania, Spanja dhe Italia.

Lini një koment