Saturday, 22 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaMinistri Hoxha takon drejtuesit e institucioneve dhe të zgjedhurit shqiptarë në Luginën e Preshevës: Të drejtat e shqiptarëve, prioritet i aksionit tonë diplomatik

Ministri Hoxha takon drejtuesit e institucioneve dhe të zgjedhurit shqiptarë në Luginën e Preshevës: Të drejtat e shqiptarëve, prioritet i aksionit tonë diplomatik

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti në një takim pune udhëheqësit politikë dhe institucionalë të Luginës së Preshevës, duke shënuar nisjen e sezonit të ri diplomatik me fokus të veçantë te mbrojtja e të drejtave të pakicës shqiptare në Serbi.

Në takimin e zhvilluar në Tiranë morën pjesë Deputeti në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, si dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.

Bisedimet u përqendruan në nevojën për një bashkërendim të vazhdueshëm mes Tiranës zyrtare dhe përfaqësuesve të Luginës, me qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar, arsimimin, zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve në institucionet e Serbisë.

“Përfaqësimi real dhe i denjë, ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar, arsimimi, zhvillimi ekonomik dhe mundësitë për të rinjtë nuk janë çështje episodike. Ato kërkojnë vëmendje të vazhdueshme, bashkërendim dhe veprim konkret.”, deklaroi Ministri i Jashtëm.

Sipas kryediplomatit shqiptar, adresimi i nevojave të qytetarëve të Luginës mbetet një përparësi e qëndrueshme e politikës së jashtme të Shqipërisë, e cila do të vijojë të mbështesë komunitetin përmes dialogut dhe aksionit diplomatik.

Ministri theksoi se Shqipëria do të vijojë të jetë pranë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me angazhim, dialog dhe mbështetje konkrete.

Takimi përmbylli diskutimet mbi hapat e ardhshëm për fuqizimin e pozitës politike dhe socio-ekonomike të shqiptarëve në rajon.

Postimi i plotë i Ministrit Hoxha

Në përfundim të një vere të shkurtër, pata kënaqësinë të zhvilloj sot një takim pune me drejtuesit e institucioneve dhe të zgjedhurit shqiptarë në Luginën e Preshevës:

Deputetin në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi; Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Enkel Rexhepi; Kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti si dhe Kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, duke filluar kështu sezonin e ri me një nga përparësitë e qëndrueshme të aksionit tonë diplomatik.

Një bisedë e lirë, e drejtpërdrejtë, por mbi të gjitha vëllazërore dhe përmbajtësore, për çështjet që na bashkojnë dhe që kërkojnë bashkërendim të vazhdueshëm: mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, ruajtjen e identitetit dhe forcimin e përfaqësimit të tyre me fuqi reale në jetën politike dhe institucionale të Serbisë, si dhe adresimin e nevojave konkrete të qytetarëve të Luginës.

Përfaqësimi real dhe i denjë, ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar, arsimimi, zhvillimi ekonomik dhe mundësitë për të rinjtë nuk janë çështje episodike. Ato kërkojnë vëmendje të vazhdueshme, bashkërendim dhe veprim konkret.

Shqipëria do të vijojë të jetë pranë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me angazhim, dialog dhe mbështetje konkrete.

Puna vazhdon.

Lini një koment