MOLDAVI – Dy raketa ruse shkelin hapësirën ajrore
– Dy raketa kruz të tipit Banderol (S8000) kanë shkelur sot hapësirën ajrore të Republikës së Moldavisë, gjatë sulmeve masive të Rusisë ndaj Ukrainës, sipas “MoldPress”.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Moldavisë, të dyja raketat hynë në hapësirën ajrore të vendit nga drejtimi i rajonit të Odesës, në Ukrainë, dhe më pas u larguan duke u rikthyer në territorin ukrainas.
Raketa e parë kaloi kufirin shtetëror në orën 06:04, nga drejtimi i fshatit Jaski, në rajonin e Odesës, duke fluturuar në drejtim të fshatit Tudora, në rajonin Stefan Voda.
Ajo qëndroi në hapësirën ajrore moldave deri në orën 06:09, dhe u largua në drejtim të fshatit Starokozache, në Ukrainë.
Raketa e dytë hyri në hapësirën ajrore të Moldavisë në orën 06:06, nga drejtimi i vendbanimit Limanske, në rajonin e Odesës, duke fluturuar drejt Pervomaisc, në rajonin separatist të Transnistrisë.
Në orën 06:10, ajo u largua nga territori moldav në drejtim të vendbanimit Razdelna, në Ukrainë.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se Qendra e Operacioneve Ajrore po vijon monitorimin e hapësirës ajrore të vendit, në koordinim me autoritetet përkatëse dhe partnerët.
Ministria e Punëve të Jashtme e Moldavisë dënoi shkeljen e hapësirës ajrore nga dy raketat, duke e cilësuar incidentin si një cenim serioz të sovranitetit të vendit dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve.
Në një deklaratë zyrtare, diplomacia moldave theksoi se veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.
“Republika e Moldavisë rikonfirmon solidaritetin me Ukrainën dhe i bën thirrje Federatës Ruse t’i japë fund agresionit ushtarak dhe veprimeve që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin rajonal”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme, që nga fillimi i vitit 2026 janë regjistruar rreth 70 incidente të shkeljes së hapësirës ajrore të Moldavisë.
Që nga viti 2022, numri i përgjithshëm i incidenteve të tilla ka arritur në rreth 110. /