Sunday, 28 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperia“Mos e kruaj me popullin”, Rama i përgjigjet të riut: Nuk u thashë shqiptarëve ‘fuck you’

“Mos e kruaj me popullin”, Rama i përgjigjet të riut: Nuk u thashë shqiptarëve ‘fuck you’

“Edi Rama o ndyrësirë, kemi ruajtur etikën gjithë këtë kohë… Të shkosh në Financial Times, t’u thuash shqiptarëve fuck you, kush je ti mor plehrë?!” – janë këto fjalët që një qytetar i thotë përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale, kryeministrit të vendit, Edi Rama. Ky i fundit, i dha sot, 28 qershor, një përgjigje ‘ballë për ballë’.

“Para se të dëgjoja sharjet, ndjeva sëkëlldinë e tij. Pyeta për të, demokrat 24 karat, nip i një demokrati të respektuar, profesionist me të cilin më lidh respekti i ndërsjellë. Fakti është se unë nuk ua kam thënë shqiptarëve kurrsesi atë fjalë, duket qartë edhe në artikull. Kur gazetari pyeti si u përgjigjesh ti atyre që të akuzojnë si Kumbari, thashë shkurt fjalën që meriton kush në fakt më akuzon pa pushim, me vite, e që s’ka lënë kurrë dy gurë bashkë për të më baltosur dhe varrosur, por kurrë asnjë provë!”, tha kryeministri.

I ndjeri, babai, nuk ka shkelur asnjëherë në asnjë spital publik të Shqipërisë. Filimisht është kuruar në një spital privat, diku te 10 vjet më parë”, shtoi Rama, duke theksuar se urrejtja dhe euforia e algoritmit e kanë bërë atë ta fajësojë publikisht.

“Populli ta ka thënë me kohë, ç’a të kesh, ku të mbajë pragu i derës. Mos e kruaj me popullin, mos i jep gojës! Boll u talle me njerëzit!”, është një tjetër deklaratë e ashpër që bën i riu.

“Ata që më shajnë si të dalë duarsh e mendsh, nuk janë populli dhe nuk flasin dot në emër të popullit, sepse ai flet vetë kur i vjen radha. Do flasë përsëri kur t’i vijë dita”, i kthehet virtualisht kreu i qeverisë.

 

Siç e ka nënvizuar edhe më herët, për Ramën, në mesin e protestuesve ka shumë njerëz me agjendë dhe që nuk dalin në bulevard për hallet e tyre personale.

Kujtojmë se numri një i kabinetit dha një intervistë për Financial Times më 23 qershor, në vazhdën e disa prononcimeve që ka bërë për mediat e huaja, sa i takon protestave që ‘shpërthyen’ në kryeqytet kundër ndërtimeve në Zvërnec.

“Njerëzit thonë se unë jam në krye të gjithë kësaj. Unë u them atyre të shkojnë në djall. Kaq e thjeshtë. Nuk është puna ime të vërtetoj se nuk jam Kumbari, është puna e tyre të vërtetojnë se unë jam Kumbari”, u shpreh ai.

Lini një koment