Thursday, 13 August 2026
54°F Detroit
BallinaArteMuzeu Marubi publikon fotografi të rralla të Bekim Fehmiut gjatë vizitës së tij në Shkodër më 1972

Muzeu Marubi publikon fotografi të rralla të Bekim Fehmiut gjatë vizitës së tij në Shkodër më 1972

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka ndarë me publikun fotografi të rralla nga arkivi i tij, që dokumentojnë vizitën e aktorit të njohur shqiptar Bekim Fehmiu në Shqipëri në vitin 1972.

I cilësuar “Uliksi shqiptar” i kinemasë botërore, Bekim Fehmiu mbërriti në Shqipëri jo thjesht si aktor në kulmin e famës, por si një njeri në kërkim të rrënjëve të tij.

I lindur në një familje shqiptare dhe i formuar mes Prizrenit e hapësirave të Ballkanit, Fehmiu ishte aktori i parë shqiptar që depërtoi në skenat ndërkombëtare dhe në Hollywood, duke e mbartur gjithmonë me vete identitetin e tij.

Në një kohë kur Shqipëria ishte e izoluar nga bota, ai zgjedh ta vizitojë, si një pjesë të historisë së vet personale. Udhëtimi i tij kalon nga një qytet në tjetrin… deri në Shkodër, aty ku kishte kaluar vitet e para të fëmijërisë.

Në këtë qytet, vizita e tij në Muzeun Historik të Shkodrës është përjetësuar nga objektivi i Angjelin Nenshatit.

Publikimi i kësaj fotografie vjen në një moment kur emri i “Odiseas” rikthehet në vëmendje përmes filmit të Christopher Nolan.

“Shqipëria nuk është më vetëm një kujtesë personale, ajo dëgjohet. Në kolonën zanore përfshihen tinguj të iso-polifonisë shqiptare, një traditë mijëravjeçare e mbrojtur nga UNESCO, e regjistruar posaçërisht në jug të vendit për t’i dhënë filmit një dimension autentik dhe të lashtë. Një lidhje e rrallë krijohet: nga zëri i maleve shqiptare… tek epika e Homerit. Sot, kur Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet më të kërkuara turistike, këto histori dëshmojnë se magnetizmi i saj ka ekzistuar gjithmonë. Arkivi i Muzeut Marubi mbetet një dëshmi e gjallë, një hapësirë ku takohen figura botërore, udhëtime të harruara dhe momente që sot marrin kuptim të ri. Sepse në Marubi nuk ruhen vetëm fotografi”, thuhet në postimin e Muzeut Marubi.

/k.s/r.e/

Lini një koment