Ndalet gurthyesi në Suharekë: Policia bllokon kompaninë “Bardhi-SG”, arrestohen dy punëtorë
Policia dhe Prokuroria kanë ndërprerë punën në kompaninë “Bardhi-SG” në Samadrexhë të Suharekës, me pretendimin se një pajisje e kompanisë po shfrytëzohej pa lejen përkatëse. Gjatë aksionit të autoriteteve janë arrestuar dy punëtorë, të cilët janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Avokati i kompanisë, Skender Musa, e ka kundërshtuar ashpër vendimin për ndalimin e aktivitetit, duke pretenduar se “Bardhi-SG” operon prej vitesh me dokumentacion të rregullt. Sipas tij, mungesa e disa lejeve është pasojë e vonesave institucionale dhe jo e shkeljeve nga ana e kompanisë. Musa ka thënë se dy makineri në vlerë rreth 500 mijë euro janë bllokuar me këtë vendim, ndërsa një numër punëtorësh kanë mbetur pa punë.
Nga ana tjetër, Ministria e Mjedisit ka bërë të ditur se operatori nuk ka dorëzuar dëshmi për leje të veçanta për separim nga KPMM-ja brenda afatit 30-ditor, duke e vënë në pikëpyetje rregullsinë e operimit të kompanisë.
Edhe Prokuroria Themelore në Prizren ka konfirmuar ndalimin, duke theksuar se operatorit i është ndaluar puna në thërrmimin e gurit gëlqeror, pasi nuk ishte pajisur me vazhdimin e lejes mjedisore.
Ndërkohë, kompania ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj vendimit, ndërsa çështja pritet të ketë zhvillime të mëtejshme në ditët në vijim.
Burimi: Klan Kosova