Wednesday, 23 September 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaNdezën zjarre pranë Parkut të Apolonisë dhe rrezikuan banesat, 2 piromanë të arrestuar dhe një nën hetim në Fier!

Ndezën zjarre pranë Parkut të Apolonisë dhe rrezikuan banesat, 2 piromanë të arrestuar dhe një nën hetim në Fier!

Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është proceduar në gjendje të lirë në Fier, pasi dyshohen se kanë shkaktuar tre vatra zjarri në zona të ndryshme të qarkut.

Sipas Policisë, zjarret kanë dëmtuar sipërfaqe të pyllëzuara, toka bujqësore, pemë frutore e ullishte, ndërsa kanë rrezikuar edhe banesa e objekte pranë zonave të përfshira nga flakët.

Njoftimi i policisë:

Pas marrjes së njoftimeve për disa vatra zjarri në territorin e qarkut Fier, strukturat e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me strukturat e DVP Fier, pas veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, bënë të mundur identifikimin e 3 shtetasve të dyshuar si autorë të zjarrvënieve.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, u arrestuan 2 prej tyre, shtetasit:

-P. Z., 66 vjeç, i dyshuar si autor i zjarrvënies në fshatin Ade, Fier;

-D. K., 62 vjeç, i dyshuar si autor i zjarrvënies në fshatin Kashisht, Fier.

Shtetasi D. M., 35 vjeç, u procedua penalisht në gjendje të lirë, si autor i dyshuar i zjarrvënies në fshatin Drizë, Fier.

Nga hetimet dyshohet se nga përhapja e zjarreve që kanë ndezur këta shtetas janë dëmtuar sipërfaqe të pyllëzuara, toka bujqësore, pemë frutore dhe ullishte, si dhe është krijuar rrezik për banesat dhe objektet pranë zonave të përfshira nga zjarri, kryesisht në Drizë dhe në zonën e Apolonisë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme”.

Lini një koment