Wednesday, 30 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Ndryshimet në Kodin Penal, Rama: Marrja në pyetje do të regjistrohet me zë dhe figurë. Kontrolli i telefonit me vendim gjykate

Ndryshimet në Kodin Penal, Rama: Marrja në pyetje do të regjistrohet me zë dhe figurë. Kontrolli i telefonit me vendim gjykate

Kryeministri Edi Rama është ndalur te forcimi i rolit të mbrojtjes, të drejtat e personave gjatë marrjes në pyetje dhe mbrojtja e privatësisë gjatë hetimeve teksa ka prezantuar ndryshimet e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.

Një nga ndryshimet synon të vendosë barazi reale mes mbrojtjes dhe akuzës.

“Avokati nuk mund të jetë më dekor në sallë dhe spektator gjatë hetimit”, deklaroi Rama, duke shtuar se mbrojtja do të ketë të drejtë të kryejë hetimet e veta, të kërkojë dokumente, të marrë deklarime dhe të angazhojë ekspertë.

Materialet e mbledhura nga avokati, sipas paketës së prezantuar, do t’i paraqiten drejtpërdrejt gjyqtarit dhe do të kenë të njëjtën rëndësi si materialet e prokurorisë.

“Ndryshimi i dytë i madh vendos barazinë reale mes mbrojtjes dhe akuzës. Avokati nuk mund të jetë më dekor në sallë dhe spektator gjatë hetimit. Ai duhet të ketë të drejtë të kryejë hetimet e veta, të kërkojë dokumente, të marrë deklarime dhe të angazhojë ekspertë. Materialet e mbledhura nga avokati do t’i paraqiten drejtpërdrejt gjyqtarit dhe do të kenë të njëjtën rëndësi si materialet e prokurorisë. Personi do të ketë akses të pakushtëzuar te provat mbi të cilat i është hequr liria dhe do të marrë pa pagesë dosjen e plotë përpara se çështja të dërgohet në gjyq”, tha Rama.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me statusin e personave që merren në pyetje gjatë hetimit. Rama tha se një person që thirret si “person në dijeni” nuk mund të trajtohet më si i dyshuar pa praninë e avokatit dhe pa garancitë përkatëse. Një tjetër risi është që marrja në pyetje do të regjistrohet me zë dhe figurë.

“Ndryshimi i tretë i rëndësishëm mbyll një zonë gri në marrjen në pyetje. Një person që merret në pyetje si person në dijeni nuk mund të trajtohet si i dyshuar pa avokat dhe pa garanci. Çdo person që thirret në prokurori apo polici do ta ketë të shkruar në fletën e thirrjes të drejtën për t’u paraqitur me avokat. Kur dyshimi ndaj tij ka ekzistuar që në momentin e pyetjes, deklarimet e marra nën një status tjetër nuk mund të përdoren më kundër tij. Marrja në pyetje do të regjistrohet me zë dhe figurë”, tha Rama.

Paketa parashikon edhe ndryshime për mbrojtjen e privatësisë në kushtet e përdorimit të gjerë të teknologjisë. Sipas Ramës, sekuestrimi i një pajisjeje elektronike nuk duhet të kthehet në mundësi për të kontrolluar pa kufizim të gjithë përmbajtjen e saj. Për këtë, sipas tij, do të kërkohet vendim gjykate, ndërsa në rastet urgjente të përcaktuara me ligj, veprimi do t’i nënshtrohet vlerësimit gjyqësor.

Materialet që nuk kanë lidhje me hetimin duhet të asgjësohen. I njëjti parim do të zbatohet edhe për përgjimet, ku do të shqyrtohen vetëm të dhënat që kanë lidhje me objektin e hetimit.

“Ndryshimi i katërt vjen si domosdoshmëri për të mbrojtur jetën private në epokën teknologjike. Sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë një mundësi për të parë dhe lexuar gjithçka. Për këtë duhet vendim i gjykatës. Në rastet e urgjencës të përcaktuara nga ligji, veprimi do të vlerësohet nga gjykata. Çdo material i nxjerrë që nuk ka lidhje me hetimin duhet të asgjësohet. E njëjta gjë vlen edhe për përgjimet: duhet të shikohen vetëm materialet që kanë lidhje me hetimin. Personi ka të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar një procedim. Hetimet e fshehta në kohë nuk mund të jenë rutinë në një shtet të së drejtës”, tha Rama.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment