“Seancat gjyqësore do të transmetohen LIVE”, Rama: Paraburgimi cenon dinjitetin kombëtar sepse…
Kodi i Procedurës Penale pritet të ndryshojë në 105 nene, me ndërhyrje që prekin nga masat e sigurisë dhe paraburgimi, të drejtat e palëve gjatë hetimit dhe gjykimit, provat dhe mënyrën e administrimit të tyre, seancën paraprake, prezumimin e pafajësisë, publicitetin e seancave dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Sipas paketës së re të prezantuar nga qeveria, për veprat penale me dënim maksimal nën 5 vite nuk do të caktohet masa “arrest në burg”, ndërsa në qeli nuk do të dërgohen as gratë shtatzëna, nënat me fëmijë nën 6 vjeç dhe baballarët që janë kujdestarët e vetëm të fëmijëve.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu që, me kërkesë të palëve, seancat gjyqësore të mund të transmetohen drejtpërdrejt. Kryeministri Edi Rama e vuri theksin te kufizimi i paraburgimit, duke e cilësuar “cenim të dinjitetit kombëtar” faktin që, sipas tij, Shqipëria është bërë “delja e zezë e Europës” për shifrat e larta. Rama tha se burgu duhet të jetë alternativa e fundit dhe se gjykata duhet të argumentojë çdo kufizim të lirisë së individit.