Nesër mblidhet Asambleja e PS-së, zbardhet axhenda! ja kush janë emrat që po qarkullojnë për Bashkinë e Tiranës
Partia Socialiste do të mbledhë nesër Asamblenë Kombëtare, në një takim që pritet të ketë në fokus përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit.
Mbledhja do të zhvillohet në orën 10:30, në një nga hotelet në Gjirin e Lalzit.
Gazetarja Fjorela Beleshi bëri të ditur në një raportim për “Puls” në A2CNN se një nga çështjet në axhendë do të jetë platforma për këshilltarët bashkiakë dhe shpërndarja e mandateve.
Vëmendje pritet të marrë edhe kërkesa e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të marrë pjesë në mbledhje. Asambleja nuk ka bërë një kërkesë zyrtare për praninë e tij, ndërsa Veliaj ka paraqitur një kërkesë të njëanshme nga burgu, ku kërkon edhe ngritjen e një komisioni hetimor lidhur me akuzat ndaj tij.
Një tjetër pikë me interes është mundësia që Edi Rama të bëjë publikë emra të mundshëm për kandidatët e PS-së në zgjedhjet vendore, veçanërisht për Bashkinë e Tiranës.
Sipas gazetares, në Partinë Socialiste po qarkullojnë disa emra. Ai i Ogerta Manastirliut tanimë duket se është larg garës, ndërsa një emër i përmendur është Arbër Hajdari, i cili është bërë publik edhe nga vetë ai dhe shihet si një kandidaturë që vjen përtej strukturave partiake, nga shoqëria civile, informon A2.
Në diskutimet për kandidatin e mundshëm për Tiranën përmendet gjithashtu edhe Ervin Demo, aktualisht ministër i Brendshëm.