Nga erdhën dronët në protestën e dhunshme të 17 tetorit? Nufi mbi tentativën për sulm ndaj Kryeministrisë: U komanduan nga…
Gjashtë dronë të fuqishëm, të komanduar nga jashtë territorit të Shqipërisë, u neutralizuan më 17 tetor në qiellin e kryeqytetit, duke parandaluar një sulm të mundshëm ndaj Kryeministrisë.
Sipas informacioneve të siguruara, 2 prej tyre ishin dronë kamikazë, ndërsa dy të tjerët dyshohet se kishin si qëllim transmetimin drejtpërdrejt të momentit të shpërthimit.
I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, konfirmoi se një tentativë sulmi ndaj Kryeministrisë, kryesisht në zonën e Kopshtit të Edenit, është parandaluar.
Ai nuk dha detaje mbi origjinën e dronëve apo natyrën e saktë të sulmit, ndërsa theksoi se kërcënime të kësaj natyre janë evidentuar edhe në vende të tjera të NATO-s.
“NATO nuk mbron specifikisht kufijtë e Republikës së Shqipërisë, por me anë të kapaciteteve ushtarake garanton pasjen e një harmonie në të gjithë territorin e NATO-s.
Ka pasur një tentativë për një sulme në Kryeministrisë, dhe kryesisht në kopështin e Idenit, që është parandaluar.
Nuk mund të them se nga ka qenë natyra e këtyre sulmeve, por sulme të kësaj natyre ka ngado, ka pasur në aeroportet e Gjermanisë. Nuk mund të them nga erdhën dronët, e rëndësishme është që u parandalua”, tha ministri Nufi.