E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Ngordhin gjallesat në lumin e Landovicës në Prizren, banorët fajësojnë bizneset për ndotjen

Ngordhin gjallesat në lumin e Landovicës në Prizren, banorët fajësojnë bizneset për ndotjen

Lumi i Landovicës në Prizren po përballet me ndotje të rëndë. Dikur në të kishte peshq e gjallesa të tjera, ndërsa sot nëpër të rrjedhin ujëra të zeza. Banorët fajësojnë kryesisht bizneset e hapura përgjatë rrugës tranzitore.

Sipas banorëve, problemi ka nisur rreth një vit e gjysmë më parë dhe me kalimin e kohës gjendja është përkeqësuar. Faik Berisha, kryesues i fshatit Landovicë, thotë se disa biznese nuk janë të lidhura me rrjetin e kanalizimit dhe ujërat e zeza përfundojnë drejtpërdrejt në lumë. “Lumi ka qenë shumë i pastër, tanimë po e vëreni se nuk janë as peshqit, bretkosat dhe as gjallesat e tjera”, ka thënë Berisha.

Banorët thonë se për problemin kanë njoftuar institucionet, por pretendojnë se deri tani nuk janë ndërmarrë masa konkrete.

Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur se për inspektimet dhe masat ndaj bizneseve përgjegjëse përgjigjet Drejtoria e Inspektimeve, ndërsa nga Drejtoria e Shërbimeve Publike kanë thënë se ekzistojnë nisma për trajtimin e ujërave të zeza përmes një impianti qendror në Vlashnje. Klan Kosova iu drejtua edhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, por deri në përgatitjen e materialit nuk mori përgjigje.

Ambientalisti Luan Hasanaj thotë se rasti i Landovicës pasqyron një problem më të gjerë të ndotjes së lumenjve në Kosovë. Sipas tij, zgjidhja nuk është vetëm pastrimi i lumenjve, por trajtimi dhe parandalimi i derdhjes së ujërave të zeza.

Burimi: Klan Kosova

Lini një koment