Nisin punimet për ndërtimin e fushës së re të futbollit në Preshevë
Projekti i Federatës së Futbollit për ndërtimin e dy fushave moderne të futbollit në Luginën e Preshevës ka hyrë në fazën e zbatimit konkret. Punimet për ndërtimin e fushës në Preshevë kanë nisur, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin e futbollit dhe aktivizimin e fëmijëve e të rinjve të kësaj treve.
Aktualisht, kompania kontraktore po kryen punimet për sistemin e drenazhimit të fushës, si faza e parë e projektit. FSHF ka marrë përsipër realizimin e të gjitha punimeve, nga ndërtimi i bazamentit deri te shtrimi i tapetit me bar artificial, si dhe pajisjen e fushës me portat përkatëse.
Ky projekt synon të krijojë një hapësirë moderne dhe funksionale për fëmijët dhe të rinjtë e Preshevës, duke u dhënë mundësi të zhvillojnë talentin dhe të ushtrojnë futbollin në kushte bashkëkohore. Paralelisht, projekti parashikon edhe ndërtimin e një fushe në Bujanoc, në kuadër të angazhimit të FSHF-së për të mbështetur futbollin në Luginën e Preshevës.
Ndërsa punimet kanë nisur dhe projekti po merr formë në terren, FSHF vijon thirrjen për bizneset, sipërmarrësit dhe të gjithë donatorët që dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj nisme. Mbështetja e tyre është e rëndësishme për të çuar përpara projektin dhe për të kontribuar në krijimin e hapësirave sportive që do t’u shërbejnë brezave të rinj.
Nga angazhimi te puna konkrete në terren, projekti për fushat e futbollit në Luginën e Preshevës synon të kthehet në një investim me vlerë të qëndrueshme për komunitetin dhe të ardhmen e futbollit në këtë trevë.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.