E premte, 15 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaPolitikaNje prej rivaleve e akuzon Robert Lulgjuraj për mashtrim mbi vendbanimin në Michigan

Nje prej rivaleve e akuzon Robert Lulgjuraj për mashtrim mbi vendbanimin në Michigan

Robert Lulgjuraj, kandidat republikan për Kongresin në distriktin e 10-të të Michiganit po akuzohet nga një rival i tij politik se ka deklaruar në mënyrë të rreme vendbanimin në dokumentet zyrtare të kandidimit.

Një debat i fortë ka shpërthyer në garën republikane për vendin në Kongres që përfaqëson distriktin e 10-të të Michiganit, pasi kandidati Justin Kirk akuzoi rivalin e tij Robert Lulgjuraj për mashtrim lidhur me vendbanimin e tij zyrtar.

Sipas ankesës së depozituar pranë Byrosë së Zgjedhjeve të shtetit, Kirk pretendon se Lulgjuraj ka deklaruar nën betim se banon në Sterling Heights, ndërkohë që përfiton një përjashtim tatimor për banesën kryesore në një pronë në Troy. Ky përjashtim ul ndjeshëm taksat e pronës dhe zakonisht jepet vetëm për rezidencën kryesore të pronarit.

“Kandidatët për Kongres duhet jo vetëm të bëjnë ligje, por edhe t’i respektojnë ato,” deklaroi Kirk, duke shtuar se një avokat i licencuar duhet të tregojë respekt maksimal për ligjin.

Nga ana e tij, Robert Lulgjuraj e quajti çështjen një “jo-problem” dhe tha se ka jetuar për më shumë se dy vite në Sterling Heights, ndërsa banesa në Troy ishte blerë për të ndihmuar të atin gjatë një periudhe të vështirë familjare. Ai pranoi se kishte jetuar përkohësisht në Troy deri në vitin 2024, por tha se është rikthyer në Sterling Heights, ku jeton dhe kujdeset për gjyshen e tij 92-vjeçare.

Lulgjuraj deklaroi gjithashtu se ka votuar në Sterling Heights gjatë vitit 2024 dhe se lidhjet e tij me komunitetin e Macomb County janë të hershme dhe të forta. Në faqen e tij elektorale thuhet se ai ka jetuar pothuajse gjithë jetën në distriktin e 10-të të Michiganit.

Përplasja mes kandidatëve nuk u ndal vetëm te çështja e rezidencës. Lulgjuraj akuzoi Kirk se nuk ka deklaruar siç duhet një hua personale prej rreth 299 mijë dollarësh për fushatën e tij elektorale, si dhe disa dokumente të tjera financiare të kërkuara nga Dhoma e Përfaqësuesve në Washington.

Zëdhënësi i Kirk tha se fushata ka respektuar kërkesat e Komisionit Federal të Zgjedhjeve dhe se çdo paqartësi administrative do të korrigjohet menjëherë nëse është e nevojshme.

Robert Lulgjuraj, i cili ka origjinë shqiptare dhe ka deklaruar se gëzon mbështetje të konsiderueshme nga komuniteti shqiptar në Michigan, ka mbledhur mbi 1.2 milionë dollarë për fushatën e tij deri në fund të marsit. Ai ka punuar më parë si ndihmës-prokuror në Wayne County dhe për një periudhë të shkurtër edhe në Macomb County.

Gara republikane për distriktin e 10-të përfshin gjithashtu kandidatët Michael Bouchard dhe Steffan Demetropoulos. Fituesi i primareve republikane do të përballet me kandidatin demokrat në zgjedhjet e përgjithshme.

Lini një koment