Tuesday, 22 September 2026
54°F Detroit
BallinaBotaNJU JORK – G7 dënon sulmet e rebelëve Houthi ndaj Arabisë Saudite, i kërkon Iranit t’i japë fund mbështetjes

NJU JORK – G7 dënon sulmet e rebelëve Houthi ndaj Arabisë Saudite, i kërkon Iranit t’i japë fund mbështetjes

NJU JORK, 22 shtator /ATSH-DPA/- Grupi i Shtatë vendeve më të industrializuara dhe demokratike, G7, ka dënuar sulmet e milicisë Houthi, e mbështetur nga Irani, ndaj Arabisë Saudite, si dhe veprimet ushtarake të grupit në Jemen.

Ministrat e Jashtëm të G7 deklaruan në një komunikatë të përbashkët se përshkallëzimi i konfliktit në Jemen, përbën një “kërcënim të papranueshëm” për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, sigurinë globale të energjisë, si dhe sigurinë në Detin e Kuq dhe Ngushticën Bab al-Mandabit.

G7 përbëhet nga Gjermania, Franca, Italia, Japonia, Kanadaja, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rebelët Houthi morën nën kontroll bregdetin perëndimor të Jemenit, gjatë një ofensive të shpejtë javën e kaluar, duke fituar qasje në Ngushticën strategjike Bab al-Mandabit, në hyrje të Detit të Kuq.

Që prej përshkallëzimit të fundit të konfliktit, edhe Arabia Saudite është përballur me sulme të reja nga Houthit.

Rëndësia e Bab al-Mandabit është rritur për shkak të krizës në Ngushticën e Hormuzit, duke shtuar shqetësimet se mund të krijohet një tjetër pikë e ngushtë për transportin ndërkombëtar detar.

G7 u bëri thirrje rebelëve Houthi të ndalojnë menjëherë të gjitha veprimet ushtarake, kërcënimet dhe sulmet ndaj anijeve civile.

Grupi i bëri gjithashtu thirrje Iranit t’i japë fund armatosjes dhe mbështetjes së rebelëve Houthi dhe shprehu “solidaritetin e plotë” me Arabinë Saudite dhe qeverinë e Jemenit të njohur ndërkombëtarisht.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënoi më herët sulmet e rebelëve Houthi ndaj Arabisë Saudite.

Milicia Houthi morën kontrollin e kryeqytetit të Jemenit, Sana’a, dhe pjesës më të madhe të veriut të vendit në vitin 2014. Aktualisht, ata kontrollojnë zona të mëdha të Jemenit.

Arabia Saudite ka luftuar kundër grupit për më shumë se një dekadë, në krah të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Jemenit. Ajo drejton gjithashtu një koalicion ushtarak që mbështet këtë qeveri. /

Lini një koment