Wednesday, 23 September 2026
54°F Detroit
BallinaBotaOKB – Takim historik Trump-Rodriguez

OKB – Takim historik Trump-Rodriguez

NJU JORK, 23 shtator /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodriguez, zhvilluan takimin e tyre të parë, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Rodriguez e përshkroi takimin si “historik” në një postim në rrjetin social X duke deklaruar se dy liderët diskutuan për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi takimin si të shkurtër, por të rëndësishëm.

“Ne duam t’i ndihmojmë ata të rindërtojnë ekonominë e tyre”, u tha Rubio gazetarëve.

“Shtetet e Bashkuara synojnë të mbështesin rimëkëmbjen ekonomike të Venezuelës dhe vendosjen e stabilitetit, ndërsa krijojnë kushtet për zgjedhje vërtet të lira dhe të ndershme”, theksoi Rubio.

“Zhvilluam një takim historik me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, me të cilin diskutuam forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes vendeve tona”, shkroi Rodriguez në postimin e saj, të shoqëruar me një fotografi ku ajo dhe Trump shfaqeshin duke buzëqeshur.

Sipas saj, bisedimet u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit në sektorët e energjisë, minierave dhe sigurisë.

Ajo falënderoi gjithashtu presidenti. Trump dhe administratën e tij për mbështetjen pas tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën në fund të qershorit, si dhe për ndihmën në riintegrimin e vendit të saj në organizatat shumëpalëshe.

Në fillim të këtij viti, Shtetet e Bashkuara kapën liderin autoritar të Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, në një operacion kundër Venezuelës.

Të dy mbahen në një burg në Nju Jork, vetëm pak kilometra larg ndërtesës së Kombeve të Bashkuara ku u zhvillua takimi.

Ata pritet të përballen me gjyq për akuza që lidhen me përfshirje të dyshuar në trafikun ndërkombëtar të drogës. /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment