E diel, 15 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Operacioni “Heshtja”, Astrit Haraqija në mesin e të arrestuarve për kokainë – avokati kundërshton ndalimin

Operacioni “Heshtja”, Astrit Haraqija në mesin e të arrestuarve për kokainë – avokati kundërshton ndalimin

Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është arrestuar sot. Arrestimi i tij dyshohet se ka ndodhur në kuadër të operacionit policor “Heshtja”, që u zhvillua kundër një grupi të dyshuar për trafikim të kokainës në rajonin e Prishtinës.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar për Telegrafin edhe avokati i tij, Korab Bokshi, i cili ka bërë të ditur se kanë paraqitur ankesë kundër vendimit për ndalim.

“Po, është arrestuar. Kemi bërë ankesë kundër vendimit për ndalim”, ka deklaruar Bokshi.

Ai ka konfirmuar gjithashtu se policia ka kryer bastisje edhe në banesën e Haraqisë.

Avokati ka thënë se ende nuk i di saktësisht dyshimet për të cilat po trajtohet klienti i tij por theksoi se mund të ketë lidhje me operacionin e djeshëm “Heshtja”, ndërsa ka theksuar se Haraqija nuk ka të bëjë me aktivitetin për të cilin po zhvillohen hetimet.

“Presim përgjigje për ankesën e paraqitur lidhur me vendimin për ndalim”, ka bërë të ditur Bokshi.

Haraqija dyshohet se është arrestuar në kuadër të operacionit “Heshtja”, të realizuar më 14 nëntor 2026 nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Gjatë këtij operacioni janë arrestuar gjithsej gjashtë persona të dyshuar, ndërsa policia ka sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë dhe asete të ndryshme, përfshirë vetura luksoze, para të gatshme dhe ora të shtrenjta, me vlerë të përgjithshme të vlerësuar rreth 301 mijë euro.

Të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar. /Telegrafi/

Lini një koment