Thursday, 24 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Paraburgim për të dyshuarin për sulm seksual ndaj një të miture në Ferizaj

Paraburgim për të dyshuarin për sulm seksual ndaj një të miture në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi me inicialet Sh.R., i dyshuar për veprën penale “sulm seksual”.

Sipas njoftimit të gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se më 16 gusht 2026, në rrugën Ferizaj–Gjilan, i dyshuari ka kryer veprime me karakter seksual ndaj një të miture rreth 14-vjeçare, e cila ndodhej në automjetin e tij.

Gjykata ka bërë të ditur se e mitura, pasi ka kuptuar situatën, ka kërkuar që automjeti të ndalonte në një pikë të rrugës. Më pas, ajo ka arritur të largohet nga vetura dhe të njoftojë Policinë e Kosovës.

Pas raportimit të rastit, i dyshuari është arrestuar nga autoritetet.

Sipas vendimit të gjykatës, e mitura ka përjetuar frikë, ankth dhe pasiguri, ndërsa ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake, Fitore Daci Krivanjeva, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji.

Gjykata ka njoftuar gjithashtu se ankesa ndaj këtij aktvendimi nuk e pezullon ekzekutimin e tij.

Lini një koment