PARAGUAJ – Presidenti Pena jep dorëheqjen pas një kolapsi të madh bankar
RIO DE ZHANEIRO, 5 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti i Paraguajit, Santiago Peaa, ka dhënë dorëheqjen pasi kolapsi i një banke të madhe digjitale e zhyti vendin e Amerikës së Jugut në trazira financiare dhe politike.
Pena njoftoi dorëheqjen e tij në një fjalim televiziv të enjten, duke deklaruar se po largohet nga detyra në interes të stabilitetit kombëtar.
“Sot ekziston vetëm një prioritet, qetësia e paraguajanëve që u kanë besuar kursimet e tyre sistemit tonë financiar”, tha Pena, duke shtuar se dëshira e tij më e madhe është të sigurojë që klientët të mund t’i rimarrin paratë e tyre.
“Gjithashtu, dëshiroj t’i kërkoj ndjesë popullit paraguajan nëse kam bërë ndonjë gabim në ndonjë moment”, theksoi ai.
Në qendër të krizës ndodhet ”Ueno Bank”, një nga institucionet më të mëdha financiare në Paraguaj.
Ajo ka 2,8 milionë klientë, që përfaqësojnë rreth 60% të popullsisë së rritur.
Në fillim të kësaj jave, Banka Qendrore e Paraguajit nisi procedurat për mbylljen e ”Ueno Bank”, pasi rezervat e saj të kapitalit ranë nën nivelet e kërkuara, duke u pamundësuar klientëve qasjen në llogaritë e tyre.
Llogaritë e bllokuara të bankës përdoreshin gjithashtu për përpunimin e pagesave të pensioneve. Kriza ka shkaktuar protesta në rrugët e kryeqytetit, Asunción.
Pena është përballur me kritika lidhur me marrëdhëniet e tij të mëparshme të biznesit me kompaninë mëmë të ”Ueno”-s, në të cilën ai zotëronte aksione deri në mars të vitit 2025.
Ndërsa problemet financiare të bankës u thelluan ditët e fundit, ai u përball sërish me akuza për konflikt interesi, të cilat i mohoi. Ligjvënësit e opozitës nisën procedurat për shkarkimin e tij të mërkurën.
Guvernatori i Bankës Qendrore, Carlos Carvallo, u detyrua më herët të jepte dorëheqjen për shkak të akuzave për konflikt interesi, të lidhura me rolin e tij të mëparshëm të lartë në ”Ueno”./ /Ad.Ab./ a.jor.