“Parqet industriale, ja sektorët që kanë interes”
Intervistë me Sokol Kraja, CEO i Nexus Park Tirana
Parqet industriale janë një segment që po merr gjithnjë e më shumë vëmendje. Një nga projektet që pritet të nisë së shpejti operimin duket se ka arritur të nënshkruajë edhe marrëveshjet e para me investitorët.
Në këtë intervistë, CEO i Nexus Park Tirana, Sokol Kraja, thekson se cilët janë sektorët që kanë shfaqur më shumë interes, avantazhet që ofrojnë parqet industriale dhe sfidat që Shqipëria të jetë më konkurruese.
A mund të na bëni një përmbledhje të projektit dhe çfarë synon?
Në zhvillimin e një parku industrial, faktori kryesor është vendndodhja. Nexus Park Tirana ndodhet në kilometrin e 5-të të autostradës Tiranë – Durrës, përpara kthesës së Rinasit, rreth 3 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës dhe rreth 20 kilometra nga Porti i Durrësit.
Nga pikëpamja logjistike, ky është një nga pozicionet më konkurruese për një park të këtij profili. Ai ndodhet pranë metropolit, portit dhe aeroportit, por edhe pranë tregut më të madh në vend: rajonit Tiranë–Durrës, që përfaqëson rreth 60% të tregut shqiptar.
Një avantazh tjetër është aksesi në fuqinë punëtore të kualifikuar që ofron kryeqyteti. Afërsia me aeroportin lehtëson gjithashtu ardhjen e delegacioneve, ekspertëve teknikë dhe asistencës së huaj.
Po kështu, ne kemi marrë licencën si zonë e lirë ekonomike, çka e bën tërheqës për kompani vendase dhe të huaja. Objektivi ynë është të krijojmë një platformë funksionale për investitorët, duke ofruar jo vetëm hapësirë fizike, por edhe strukturë organizative dhe mbështetje operacionale.
Si ka qenë interesi i kompanive dhe investitorëve deri tani? Cilët sektorë janë më të pranishëm?
Deri tani kemi disa njësi të shitura, ku kompanitë përkatëse kanë nisur investimet dhe përshtatjen e ambienteve sipas nevojave të tyre.
Aktualisht kemi dy kompani farmaceutike italiane që merren me prodhimin e pacemaker-ëve dhe defibrilatorëve kardiakë. Një tjetër kompani italiane merret me montimin e laboratorëve dentarë, ndërsa një investitor tjetër nga sektori farmaceutik furnizon spitalet me pajisje dhe mjete spitalore.
Projekti është pothuajse i përfunduar dhe pritet të nisë aktivitetin brenda pak muajsh. Investimin fillestar e kemi realizuar ne si zhvillues. Kjo do të thotë se investitorët marrin një ambient të gatshëm dhe mund të nisin aktivitetin menjëherë sapo parku të bëhet operativ.
Jemi në fazën finale të plotësimit të disa kushteve, përfshirë vendosjen e degës doganore brenda parkut, siç parashikon ligji për zonat e lira ekonomike. Kjo do t’u mundësojë bizneseve të kryejnë aty të gjitha procedurat e import-eksportit.
Si pozicionohet Shqipëria në raport me rajonin dhe çfarë duhet të bëjmë për të qenë më konkurrues?
Konkurrueshmëria varet në radhë të parë nga çmimi. Cilësia nuk është më avantazh, por detyrim. Arsyeja kryesore pse investitorët e huaj shohin nga Shqipëria është kostoja më e ulët e operimit.
Ne duhet t’u ofrojmë kompanive të huaja një produkt me kosto konkurruese, qoftë në prodhim, manifakturë apo produkt të gatshëm. Konkurrenca jonë nuk është brenda vendit, por me vende të rajonit që kanë zhvilluar parqe industriale, si Serbia, Maqedonia e Veriut apo edhe vende si Hungaria.

Cilat janë lehtësitë kryesore që ofron një park si i juaji?
Nga pikëpamja fiskale, lehtësitë janë të ngjashme me ato që parashikohen për Zonat e Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjik. Por diferenca reale qëndron tek aftësia e zhvilluesit për të organizuar, për të promovuar dhe për të menaxhuar marrëdhënien mes investitorit dhe institucioneve shtetërore.
Investitorët e huaj kanë gjithmonë nevojë për ndërveprim me administratën publike. Roli ynë si zhvillues është të lehtësojmë këtë marrëdhënie dhe të ulim kostot administrative, kohore dhe procedurale për kompanitë që vendosin të operojnë në park.
Sa është sipërfaqja e parkut dhe vlera e investimit?
Parku shtrihet në një sipërfaqe prej 55 mijë metrash katrorë, ndërsa vlera e investimit është rreth 34 milionë euro. Projekti është miratuar nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe është realizuar në më pak se një vit e gjysmë. Nisi park industrial dhe më pas, me vendim të qeverisë, mori statusin e zonës së lirë ekonomike.
Sa e lehtë apo e vështirë është të tërheqësh vëmendjen e investitorëve drejt Shqipërisë sot?
Marketingu është një nga instrumentet kryesore për të tërhequr investitorë. Megjithatë, vitet e fundit, imazhi i Shqipërisë është përmirësuar ndjeshëm, veçanërisht falë turizmit.
Investitorët e shohin sot vendin me një sy tjetër. Rritja turistike ka krijuar më shumë interes dhe ka ndikuar pozitivisht në perceptimin ndërkombëtar për Shqipërinë. Edhe rritja e pasagjerëve nga Aeroporti i Tiranës është një avantazh i rëndësishëm, pasi e ka kthyer atë në një nga portat kryesore të Ballkanit.
Lidhur me fuqinë punëtore, a e shihni atë si një sfidë për ekonominë shqiptare?
Emigracioni është sfida më reale që kemi. Shqipëria nuk duhet të lejojë largimin e profesionistëve. Në pjesën më të madhe, njerëzit largohen për arsye ekonomike, kryesisht për paga më të larta.
Këtë prirje mund ta ndalim vetëm përmes një modeli më të qëndrueshëm ekonomik, që mbështet prodhimin, përpunimin dhe sektorët që gjenerojnë vlerë të shtuar. Vetëm një ekonomi që krijon fitim real mund të paguajë punonjësit në mënyrë dinjitoze.
Modeli i bazuar kryesisht te shërbimet e vogla, si bar-kafenetë, nuk është i mjaftueshëm për të mbajtur fuqinë punëtore të kualifikuar në vend.
Si e keni adresuar këtë çështje në kompaninë tuaj?
Ne kemi zgjedhur të rrisim pagat.
LEXONI EDHE: