Monday, 28 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Përfshihet nga flakët lokali në Athinë ku u vra Pëllumb Islami, autoritetet hetojnë për zjarrvënie të qëllimshme

Përfshihet nga flakët lokali në Athinë ku u vra Pëllumb Islami, autoritetet hetojnë për zjarrvënie të qëllimshme

Një zjarr i madh ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të së hënës në një kafene në rrugën “Kastamonis” në zonën Nea Ionia të Athinës, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe dëme të shumta materiale. Flakët e nisura në katin përdhes u përhapën me shpejtësi drejt tre kateve të mësipërme të ndërtesës, duke detyruar banorët të evakuoheshin me urgjencë.

Për shuarjen e flakëve dhe realizimin e operacionit të kërkim-shpëtimit ndërhynë 18 zjarrfikës me pesë automjete si dhe një mjet special me shkallë. Ekipet e emergjencës arritën të nxirrnin shëndosh e mirë disa qytetarë që kishin mbetur të bllokuar në ballkone apo që po tentonin të kalonin përmes tymit intensiv. Banorë të zonës dëshmuan se zjarri u parapri nga një shpërthim i fuqishëm në katin përdhes.

Lokali ku ndodhi ngjarja është i njëjti ambient ku më 22 shkurt të vitit 2023 u ekzekutua me armë zjarri 37-vjeçari shqiptar Pëllumb Islami.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të shpërthimit, ndërsa po analizohet nëse ngjarja lidhet me ndonjë defekt teknik si shpërthim bombole gazi apo nëse bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme me prapavijë kriminale.

Lini një koment