Monday, 27 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaPërplasja për marrëveshjen me SHBA, Bardhi: Nuk e kemi parë dokumentin, por jemi pro financimit

Përplasja për marrëveshjen me SHBA, Bardhi: Nuk e kemi parë dokumentin, por jemi pro financimit

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita nuk e ka në dispozicion marrëveshjen e huasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, megjithëse, sipas tij, ajo do të mbështetet pasi parashikon investime në fushën e sigurisë dhe përmbush detyrimet e Shqipërisë në NATO.

Gjatë fjalës në Kuvend, Bardhi tha se dokumenti nuk u është vënë në dispozicion sipas procedurave.

“Marrëveshjen nuk e disponojmë, nuk na është vënë në dispozicion sipas rregullave. Por marrëveshja është e mirëpritur, sepse Shqipërisë i duhen investime të tilla,” u shpreh ai.

Sipas Bardhit, marrëveshja përbën një reagim të vonuar të qeverisë, të cilën e akuzoi se nuk ka përmbushur në kohë angazhimet ndaj Aleancës.

“Është reagim i vonuar i një qeverie të papërgjegjshme, që nuk përmbushi detyrimet e NATO-s dhe lejoi që Shqipërisë t’i vihej në pikëpyetje edhe vetë anëtarësimi i saj në NATO. Siguria kombëtare nuk ndërtohet me propagandë,” tha Bardhi.

Ai theksoi se Partia Demokratike do të votojë pro marrëveshjes, pasi ajo rrit investimet në mbrojtje dhe përmbush detyrimet e vendit ndaj NATO-s.

“Ne jemi pro marrëveshjes që rrit investimet në fushën e sigurisë, jemi pro marrëveshjes që përmbush detyrimet e Shqipërisë në NATO. Shqipëria ka nevojë për një qeveri që përmbush angazhimet ndaj NATO-s dhe nuk e ekspozon vendin si një aleat jo serioz,” deklaroi kreu i grupit demokrat.

Bardhi akuzoi gjithashtu qeverinë se, në vend të përgjegjshmërisë ndaj aleatëve, ka zgjedhur korrupsionin dhe keqpërdorimin e fondeve publike.

Ndërkohë, nga mazhoranca, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi kundërshtoi pretendimet e opozitës, duke theksuar se marrëveshja ishte depozituar në Sekretariatin e Kuvendit dhe ishte e aksesueshme për deputetët.

Lini një koment