Përplasja Spiropali-Rama, Gjyli: Reagim pas përjashtimit, nuk besoj se mund të krijojë një lëvizje
Në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, u diskutua për reagimin e Elisa Spiropalit pas përjashtimit të saj nga Grupi Parlamentar i PS, e cila i kërkoi kryeministrit Edi Rama që të ndryshojë modelin e qeverisjes ose të ikë.
Pedagogia Arsejda Gjyli tha gjatë fjalës së saj se Spiropali sot prezantoi disa pretendime, si për reformën zgjedhore apo për hapjen e partisë, që në themb sipas saj, janë të qënësishme.
“Mua sot Spiropali nuk m’u duk drejtpërsëdrejti me platformë. Pra nuk erdhi me platformën që ajo propozoi në kohën e flamingove. Por ajo erdhi me disa pretendime që në thelb parimisht janë të qënësishme. Në termat e reformës zgjedhore, të ndryshimeve që duhet të bëhen. Të ligjeve adekuate, të mbajtjes së konsideratë të një hapjeje të partisë. Tejkalimin ndoshta të asaj linjës së ngurtë të monopolizimit edhe të vetë pushtetit, që patjetër që është në dëm edhe të vetë partive politike. Duhet thënë që janë disa kritere të përgjithshme që Spiropali pretendoi dhe përmendi në linjën që ajo tanimë po ndjek”, tha mes të tjerash Gjyli.
Sipas Gjylit, reagimi i Spiropalit dukej më shumë si një reagim reaksionar, ndaj përjashtimit nga partia, por edhe sulmeve të pretenduara prej saj ndaj bizneseve të familjes së saj.
Për Gjylin, Spiropali nuk mund të krijonte një lëvizje të gjerë kundër pushtetit të kryeministrit Edi Rama.
Ajo theksoi gjithashtu, se me guximin që Spiropali tregoi duke folur kundër pushtetit të kryeministrit Edi Rama, duket se ka marrë garanci diku.
“Por nuk duket se ka ardhur me pretendimin e asaj që kishte ngritur si platformë (ajo e Shqipërisë së re), por sot ajo vjen me një reaksion. Dhe mua m’u duk më shumë reagim reaksionar si rrjedhojë e përjashtimit, por mbase edhe sulmeve që ajo pretendon se ka pasur ndaj bizneseve apo subjekteve personale që drejton të familjes së saj. Nuk gjykoj që Spiropali mund të krijojë një lëvizje. Përsa kohë që s’ka ndodhur me Veliajn, nuk gjykoj se mund të ndodhë me Spiropalin. Për mënyrën sesi është ndërtuar realiteti politik në Shqipëri, do një guxim të veçantë. Unë nuk e di nga ku Spiropali e ka marrë këtë garanci, ose mbrojtjen për të dalë kundër liderit të saj politik, që për 17 vite nuk ka patur zgjedhje brenda partisë. Sot ka ardhur momenti i konkurrencës për Kryesinë. Fjalimi i Spiropalit është një akt i mirëfilltë politik”, shtoi Gjyli.