E diel, 15 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Peskov kërcënon Evropën: Rusia do të përdorë forcën nëse nuk ka perspektivë për marrëveshje

Peskov kërcënon Evropën: Rusia do të përdorë forcën nëse nuk ka perspektivë për marrëveshje

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se Rusia do të detyrohet të përdorë forcën për të arritur qëllimet e saj në Ukrainë, nëse nuk shihet asnjë perspektivë për arritjen e një marrëveshjeje me Evropën, siç njofton Shqiptarja.com, duke iu referuar intervistës së tij për gazetarin Pavel Zarubin të agjencisë ruse Vesti.

Peskov tha gjithashtu se, nëse Bashkimi Evropian nuk dëshiron paqen, nuk ka kuptim të diskutohet për një zgjidhje të konfliktit në Ukrainë apo për kuadrin e sigurisë së BE-së. Sipas tij, evropianët janë të ndarë dhe nuk arrijnë të marrin në kohë disa vendime, çka ngadalëson çdo proces, duke shtuar se në një moment kjo çështje do të duhet të diskutohet me evropianët.

Deklaratat vijnë në një kohë kur, në një dokument të datës 10 nëntor, të shpërndarë gjatë bisedimeve në Abu Dhabi dhe të raportuar nga New York Times, Rusia kërkoi tërheqjen e trupave dhe bazave të NATO-s në pozicionet e vitit 1997, përpara zgjerimit drejt lindjes, çka do të dobësonte mbrojtjen ushtarake të Polonisë, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Sipas burimeve të NYT-së në bisedime, negociatorët rusë iu referuan modelit të sferave të influencës të Luftës së Ftohtë dhe Paktit të Varshavës.

Udhëheqësi ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se kjo dëshmon se presidenti rus Vladimir Putin kërkon të rivizatojë kufijtë e Evropës dhe të rishkruajë garancitë e saj të sigurisë. Ai theksoi se çdo negociatë për arkitekturën e sigurisë së Ukrainës duhet të përfshijë të gjithë aleatët evropianë të interesuar, e jo vetëm Uashingtonin dhe Moskën.

Ndërkohë, negociatori amerikan Jared Kushner shkroi dje në X se palët e kuptojnë se do të nevojiten kompromise praktike për t’i dhënë fund luftës dhe se qëllimi tani është lehtësimi i dialogut të drejtpërdrejtë mes Moskës dhe partnerëve të saj evropianë.

Lini një koment