Monday, 21 September 2026
54°F Detroit
BallinaArtePicasso dhe Bacon përballë njëri-tjetrit në Vjenë: Albertina hap ekspozitën “What It Means to Be Human”

Picasso dhe Bacon përballë njëri-tjetrit në Vjenë: Albertina hap ekspozitën “What It Means to Be Human”

Muzeu Albertina në Vjenë ka hapur dyert e ekspozitës “Picasso–Bacon: What It Means to Be Human”, përballjes së parë krahasuese të përmasave të tilla mes dy prej emrave më të mëdhenj të pikturës figurative të shekullit XX, Pablo Picasso-së dhe Francis Bacon-it. Rreth 70 vepra kyçe, të huazuara nga muze ndërkombëtare si ai i Çikagos, Meksiko Sitit, Londrës, Parisit dhe Stokholmit, si edhe nga koleksione private, vihen krah për krah për të rrëfyer dialogun e gjatë dhe të stuhishëm mes dy artistëve.

Lidhja mes tyre nis në vitin 1927, kur 17-vjeçari Francis Bacon pa për herë të parë në Paris pikturat e Picasso-së — një takim që e shtyu të vendoste se do të bëhej piktor. Nëse Picasso ishte kronisti i pjesës së parë të shekullit XX, Bacon-i u bë kronisti i pjesës së dytë: pikturimi i njerëzores së copëtuar, i plagosur nga dy luftëra botërore.

Të dy e vunë figurën njerëzore në qendër të krijimtarisë, por të deformuar dhe të rishpikur rrënjësisht: kryqëzimet dhe britmat, nuset dhe luftat e demave, “lotët e Erosit” — një galeri motivesh ku takohen mbretërit-papa, gojët e hapura në klithmë dhe kafshërorja që fshihet pas pamjes njerëzore.

Ekspozita eksploron ndikimin e drejtpërdrejtë të surealizmit të Picasso-së tek Bacon-i i ri, riinterpretimet që të dy i bënë mjeshtërve të vjetër, si dhe besimin e përbashkët — pavarësisht tmerreve të shekullit — në domosdoshmërinë e figurës njerëzore si themel i artit.

Ekspozita “Picasso–Bacon: What It Means to Be Human” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 31 janar 2027 në Muzeun Albertina, Vjenë.

Burimi: Artdaily

Lini një koment