E shtunë, 14 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Plagosën rëndë me mjete të forta një 38-vjeçar, arrestohet 23-vjeçari në Mirditë, në kërkim vëllai i tij

Plagosën rëndë me mjete të forta një 38-vjeçar, arrestohet 23-vjeçari në Mirditë, në kërkim vëllai i tij

Një 23-vjeçar i shpallur në kërkim është arrestuar këtë të shtunë në Rrëshen nga policia, pasi së bashku me vëllain e tij, i cili është në arrati, akuzohen se kanë goditur me mjete të forta një 38-vjeçar.

Sipas raportimit të policisë, në pranga ka rënë A. Gj., 23 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur, J. Gj., 31 vjeç.

Dy vëllezërit dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 27.10.2026 kanë goditur me mjete të forta shtetasin E. Gj., 38 vjeç.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda i DVP Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Seksionin e Mbështetjes Operacionale dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, finalizoi operacionin e koduar “Brothers”.

Gjatë këtij operacioni, u kap dhe u ndalua shtetasi A. Gj., 23 vjeç, banues në Ndërfushaz, Rrëshen.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Lini një koment