Friday, 14 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaPolicia Rrugore “blindon” Tiranën, 19 persona nën hetim dhe 19 motomjete elektrike të sekuestruara

Policia Rrugore “blindon” Tiranën, 19 persona nën hetim dhe 19 motomjete elektrike të sekuestruara

Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet ndaj drejtuesve të motomjeteve, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe goditjen e shkeljeve që cenojnë sigurinë në rrugë.

Gjatë kontrolleve të zhvilluara në dy ditët e fundit, efektivët kanë konstatuar 19 shtetas që drejtonin motomjete elektrike pa lejen përkatëse të drejtimit. Për të gjithë këta persona ka nisur procedimi penal për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, ndërsa motomjetet janë sekuestruar.

Në total, Policia Rrugore ka vendosur 530 masa administrative për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit.

Shkeljet e konstatuara janë:

371 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
76 masa për qarkullim në korsitë e dedikuara për biçikleta dhe në hapësirat e këmbësorëve;
28 masa për kryerjen e manovrave të rrezikshme dhe mosrregullimin e shpejtësisë në qendrat e banuara;
21 masa për shkaktim zhurmash përmes sistemit të shkarkimit të gazrave;
18 masa për motomjete pa shenja dalluese ose targa;
10 masa për tejkalim të shpejtësisë së lejuar;
6 masa për drejtim pa lejen përkatëse të drejtimit.
Sipas Policisë Rrugore, kontrollet janë intensifikuar në vijim të shqetësimeve të shumta për manovrat e rrezikshme të kryera nga drejtuesit e motomjeteve, të cilat përbëjnë rrezik si për drejtuesit e tyre, ashtu edhe për përdoruesit e tjerë të rrugës.

Kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me fokus parandalimin e ngjarjeve rrugore dhe rritjen e sigurisë në rrugët e Tiranës.

Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të motomjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, të pajisen me leje drejtimi, të përdorin kaskën mbrojtëse dhe të shmangin manovrat e rrezikshme.

Lini një koment