Friday, 17 July 2026
54°F Detroit
BallinaBotaPolonia përgatit ligjin për “gjendjen para luftës”

Polonia përgatit ligjin për “gjendjen para luftës”

Polonia po përgatit një status të ri ligjor, të quajtur “gjendja e gatishmërisë së plotë për luftë”, i cili do t’i mundësojë autoriteteve të reagojnë ndaj kërcënimeve të sigurisë edhe përpara shpalljes zyrtare të gjendjes së luftës.

Lajmi u bë i ditur nga Maciej Samsonowicz, këshilltar i ministrit polak të Mbrojtjes, i cili tha se projektligji synon të mbushë boshllëkun ligjor mes kohës së paqes dhe fillimit të një konflikti të armatosur.

“Po punojmë edhe për këtë. Nuk dua të hyj në detaje. Në projekt quhet ‘gjendja e gatishmërisë së plotë luftarake’”, tha Samsonowicz.

Sipas tij, kuadri aktual ligjor i Polonisë mund të mos jetë i mjaftueshëm në rast se lufta afrohet pranë kufijve të vendit, por ende nuk janë përmbushur kushtet për shpalljen zyrtare të gjendjes së jashtëzakonshme.

Projektligji do t’i lejojë qeverisë të nisë më herët dislokimin e trupave, përgatitjen e infrastrukturës strategjike dhe pritjen e forcave aleate të NATO-s, pa pritur shpalljen e gjendjes së luftës.

Paralelisht, Ministria polake e Mbrojtjes po harton një projektligj të veçantë për investimet strategjike dhe lehtësimin e lëvizjes së forcave ushtarake. Në rast të përkeqësimit të situatës së sigurisë, ushtria do të marrë kompetenca shtesë për koordinimin e kolonave ushtarake edhe përpara shpërthimit të luftimeve.

Lini një koment