Presidenti kubanez: Trump po përpiqet të na mposhtë ekonomikisht, vendi nuk do dorëzohet
Presidenti kubanez Miguel Diaz-Canel deklaroi se dialogu me Shtetet e Bashkuara është aktualisht në ngërç dhe se nuk ekziston ende një axhendë e përcaktuar për negociatat mes dy vendeve.
Në një intervistë për gazetën braziliane Folha de S.Paulo, Diaz-Canel tha se qeveria kubane mbetet e gatshme të hapë një kanal dialogu me Uashingtonin, por theksoi se bisedimet nuk mund të zhvillohen nën presion.
“Duhet të kërkojmë një kanal për dialog pa parakushte”, tha presidenti kubanez.
Diaz-Canel akuzoi administratën e presidentit amerikan Donald Trump se po përpiqet të ushtrojë presion maksimal ekonomik ndaj Kubës, me synimin për të shkaktuar një krizë sociale dhe për të rrëzuar Revolucionin Kuban.
Ai kritikoi gjithashtu deklaratat e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke pretenduar se Uashingtoni po përpiqet të kufizojë të gjitha alternativat që i kanë mbetur Kubës për të përballuar krizën.
Presidenti kubanez hodhi poshtë ndërkohë pretendimet se vendi ndodhet në prag të kolapsit ekonomik, pavarësisht mungesave të karburantit, energjisë elektrike, ushqimeve dhe ilaçeve.
“Jemi në një situatë komplekse”, tha Diaz-Canel, duke theksuar se Kuba po përballet me krizën përmes “kreativitetit dhe rezistencës historike” të popullit kubanez.