Prishtina “vishet” digjitale: platforma Culture01 i mbledh monumentet dhe muzetë në një vend
Prishtina ka fituar një dritare të re digjitale për turizmin. Platforma e re “Culture01” mbledh në një hapësirë të vetme monumentet, muzetë, institucionet kulturore dhe pikat më të rëndësishme turistike të kryeqytetit, duke u dhënë vizitorëve mundësinë të planifikojnë më lehtë qëndrimin dhe përvojën e tyre në qytet.
Platforma synon t’u shërbejë si turistëve ndërkombëtarë, ashtu edhe vendasve që duan të zbulojnë pasuritë kulturore të Prishtinës. Përmes saj, përdoruesit mund të njihen me atraksionet kryesore, të marrin informacione praktike dhe të ndërtojnë itinerarin e tyre personal në kryeqytet.
Krijuesi i platformës, Besart Vllahinja, e prezantoi projektin në emisionin e mëngjesit “Ora Shtatë” të Klan Kosovës, ku foli për idenë dhe funksionalitetet që ofron “Culture01” për promovimin e turizmit kulturor në Prishtinë.
Me këtë iniciativë, kryeqyteti i Kosovës i bashkohet trendit të qyteteve moderne që përdorin teknologjinë për ta bërë trashëgiminë kulturore më të aksesueshme dhe për ta kthyer vizitën e turistëve në një përvojë më të pasur e më të organizuar.
Burimi: Klan Kosova