“Protestat? Ishte grusht shteti”/ Meçe: Grupet kriminale nga Elbasani, Shkodra e Durrësi dolën në shesh
Analisti Arben Meçe, i ftuar në emisionin “Real Story”, e cilësoi protestat në Tiranë si një moment të kyç politik, duke e interpretuar atë si një përpjekje për rrëzimin e qeverisë përmes dhunës.
Sipas Meçes, protestat shënuan bashkimin e aktorëve të ndryshëm politikë dhe grupeve të organizuara kundër kryeministrit Edi Rama, ndërsa pretendoi se në shesh ishin të pranishme edhe struktura kriminale nga Elbasani, Shkodra dhe Durrësi.
Analisti theksoi se kjo përpjekje dështoi dhe se në fund përgjegjësinë politike për zhvillimet e mori përsipër Sali Berisha.
“Protesta ishte një mësim i madh në politikë, sepse ishte një armik dhe u bashkuan të gjithë. Ishte një finale, që ishte data 24, që u ishte mbushur mendja që përmes dhunës do të rrëzonin qeverinë, ishte një grusht shteti në thelb.
Për herë të parë në fushëbetejë kemi grupet militare të krimit të organizuara, Elbasani, Shkodra dhe Durrësi. Ushtarët e tyre, të cilët janë spaçatorë, kriminelë dhe vrasës, ishin në shesh me dhunë. Për herë të parë këta ishin pjesa më agresive.
Ajo që të bën përshtypje ishte bashkimi i Qorit, Shehajt, Berishës, grupeve të organizuara dhe islamike ishin të bashkuara ndaj një armiku, që ishte Rama dhe dështoi. Dhe erdhi në finale që ai që mori përsipër gjithçka ishte Berisha”, tha Meçe.