Puka në luftë me zjarret, jepet urdhër evakuimi i menjëhershëm për banorët e një fshati
Situata e krijuar nga përhapja e një zjarri masiv në territorin e fshatit Gojan i Madh, në Njësinë Administrative Gjegjan, ka detyruar Bashkinë Pukë të urdhërojë evakuimin e menjëhershëm të banorëve.
Vendimi është marrë për shkak të rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën dhe pronën e banorëve, në zbatim të legjislacionit për mbrojtjen civile dhe planeve të emergjencave civile.
Procesi i evakuimit do të koordinohet me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut Shkodër, strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Pukë, Policinë e Shtetit dhe shërbimin zjarrfikës.
Prioritet gjatë evakuimit do t’u jepet fëmijëve, foshnjave, të moshuarve, personave me sëmundje kronike, personave me aftësi të kufizuara, si dhe familjeve që ndodhen në zona të izoluara ose me rrezik të lartë për përfshirje nga flakët.
Banorët e evakuuar do të strehohen përkohësisht në ambientet e Konviktit “Ali Bytyçi” në Pukë, ku, sipas Bashkisë, janë marrë masat për strehim, ushqim dhe shërbim mjekësor.
Transporti do të sigurohet nga mjetet logjistike të Bashkisë Pukë, MZSH-ja dhe Policia e Shtetit, ndërsa Forcat e Armatosura mund të angazhohen nëse kërkohet mbështetje shtesë.
Në qendrën e akomodimit do të kryhet regjistrimi i të evakuuarve dhe do të mbulohen nevojat bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen, higjienën dhe ndihmën e parë mjekësore. Banorët do të informohen periodikisht për situatën e zjarrit dhe masat që do të ndërmerren për kthimin e sigurt në banesa.
“Ky urdhër ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftimin e Bashkisë Pukë, të firmosur nga kryetari Rrok Dodaj.