Monday, 24 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaPukë/ Zjarr i fuqishëm në fshatin Gojan i Vogël, flakët rrezikojnë banesa, evakuohen 6 familje

Pukë/ Zjarr i fuqishëm në fshatin Gojan i Vogël, flakët rrezikojnë banesa, evakuohen 6 familje

Një zjarr me intensitet të lartë ka përfshirë gjatë orëve të para të mëngjesit (24 gusht) fshatin Gojan i Vogël, në Bashkinë Pukë, duke rrezikuar banesat e zonës. Sipas informacioneve mësohet se flakët në momentin e mbërritjes së forcave zjarrëfikëse, ndodheshin rreth 200 metra larg banesave.

Për përballimin e situatës janë angazhuar të gjitha kapacitetet e MZSH Pukë, me të gjithë efektivin dhe tre automjete. Në operacion kanë marrë pjesë gjithashtu forca dhe mjete nga Bashkia Fushë-Arrëz, MZSH Kukës dhe MZSH Rrëshen, ndërsa në ndihmë kanë dalë edhe banorë të komunitetit.

Në total, në operacionin për shuarjen e zjarrit janë angazhuar rreth 100 forca. Vija e zjarrit arriti në rreth 5 kilometra. Për shuarjen e flakëve është ndërhyrë edhe nga ajri. Për shkak të rrezikut nga zjarri, gjatë mesnatës janë evakuuar gjashtë familje, banesat e të cilave rrezikoheshin nga flakët.

Aktualisht, zjarri është vënë plotësisht nën kontroll dhe situata paraqitet e qetë. Nuk raportohet për probleme të tjera, ndërsa shkaqet e zjarrit po hetohen.

Lini një koment