Qeveria çon në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes evropiane për heqjen e vizave për refugjatët
Këshilli i Ministrave ka miratuar dhe dërgon për shqyrtim e miratim në Kuvend projektligjin “Për ratifikimin e Marrëveshjes Evropiane për Heqjen e Vizave për Refugjatët”, e lidhur në Strasburg më 20 prill 1959 (ETS 31).
Vendimi i qeverisë është marrë me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, mbështetur në nenet 81 (pika 1) dhe 100 të Kushtetutës, si dhe në nenin 17 të ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
Dokumenti i propozuar nga Ekzekutivi i kalon tashmë për trajtim dhe votim Kuvendit, në mbështetje të neneve 78, 83 dhe 121 (pika 1) të Kushtetutës.
Sipas përmbajtjes së projektligjit neni 1 parashikon ratifikimin e plotë të Marrëveshjes Evropiane (ETS 31) bashkë me tekstin shoqërues dhe neni 2 përcakton se ky ligj do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit të tij në “Fletoren Zyrtare”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Sipas vendimit të qeverisë, ratifikimi i këtij dokumenti ndërkombëtar synon harmonizimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor shqiptar me standardet evropiane sa i përket lëvizjes dhe statusit të refugjatëve.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.