Tuesday, 18 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaQeveria miraton hapjen e Ambasadës shqiptare në Dublin

Qeveria miraton hapjen e Ambasadës shqiptare në Dublin

Qeveria shqiptare ka zyrtarizuar zgjerimin e pranisë së saj diplomatike në Evropë. Me propozim të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri që i hap rrugë ngritjes së përfaqësisë zyrtare të shtetit shqiptar në Republikën e Irlandës.

Ky vendim është mbështetur në Kushtetutën e vendit, si dhe në kuadrin e ri ligjor nr. 24/2026 “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”. Dokumenti zyrtar sanksionon në mënyrë të drejtpërdrejtë krijimin e këtij misioni të ri në kryeqytetin irlandez.

Sipas pikës së parë të vendimit, ekzekutivi vendosi hapjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Dublin, Republika e Irlandës.

Financimi dhe zbatimi i vendimit

Lidhur me kostot e ngritjes dhe fillimit të funksionimit të këtij institucioni të ri, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar se ato nuk do të kërkojnë fonde shtesë, por do të mbulohen brenda planifikimit ekzistues financiar.

Teksti i vendimit saktëson destinacionin e fondeve.

“Shpenzimet për hapjen e kësaj ambasade përballohen nga buxheti i vitit 2026 i miratuar në programin “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit” dhe zëri “Shpenzime korrente” për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.”, thuhet në vendim.

Për zbatimin e këtij vendimi dhe ndjekjen e të gjitha procedurave administrative dhe diplomatike për hapjen fizike të ambasadës, është ngarkuar Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Lini një koment