Monday, 27 July 2026
54°F Detroit
BallinaBotaQIPRO – Guterres në vizitën e parë që nga viti 2010

QIPRO – Guterres në vizitën e parë që nga viti 2010

ATHINË, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, pritet të mbërrijë sonte në Qipro për një vizitë treditore, e para e një kreu të OKB-së në ishull që nga viti 2010.

Vizita synon t’i japë një shtysë të re përpjekjeve për rifillimin e bisedimeve mes komunitetit grekoqipriot dhe atij turkoqipriot, të cilat prej vitesh kanë mbetur në ngërç.

Kjo mund të jetë përpjekja e fundit e Guterres për të ndërmjetësuar një zgjidhje, pasi mandati i tij si Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së përfundon në fund të këtij viti.

Ai pritet të zhvillojë takime me udhëheqësit e të dyja palëve dhe të nxisë dialogun për të gjetur një rrugëdalje nga konflikti i gjatë.

Qiproja mbetet e ndarë që nga viti 1974, kur një grusht shteti i nacionalistëve grekoqipriotë u pasua nga ndërhyrja ushtarake e Turqisë.

Ndarja çoi në krijimin e Republikës Turke të Qipros Veriore në vitin 1983, e cila njihet zyrtarisht vetëm nga Turqia.

Edhe pse Bashkimi Evropian e pranoi të gjithë ishullin si shtet anëtar në vitin 2004, legjislacioni i BE-së zbatohet vetëm në pjesën jugore të kontrolluar nga Republika e Qipros. Kryeqyteti Nikozia vazhdon të jetë i vetmi kryeqytet i ndarë në Evropë, me një zonë tampon të mbikëqyrur nga paqeruajtësit e OKB-së. /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment