Sunday, 25 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Rama hedh poshtë “fake news” për Vishkullin: Të gjitha shpenzimet i paguan shteti! E përcollëm unë, Begaj dhe

Rama hedh poshtë “fake news” për Vishkullin: Të gjitha shpenzimet i paguan shteti! E përcollëm unë, Begaj dhe

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me rastin e Erjon Vishkullit, të riut nga Elbasani që u dërgua në Itali për trajtim të specializuar mjekësor pas lëndimit gjatë protestave të fundit. Reagimi i kreut të qeverisë vjen pas një postimi të motrës së të riut, e cila ka nxitur Ramën të sqarojë publikisht se kush e mori iniciativën për transferimin dhe mbulimin e shpenzimeve të mjekimit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama thekson se ka qenë personalisht ai që ka ndërmarrë iniciativën për dërgimin e Vishkullit në Romë, ndërsa transporti me avion mjekësor dhe të gjitha shpenzimet janë mbuluar nga shteti shqiptar.

Kryeministri zbulon gjithashtu se e ka takuar të riun përpara nisjes nga aeroporti, duke i uruar shërim të shpejtë. Sipas tij, ndihma është ofruar për arsye humanitare, pavarësisht përfshirjes së të riut në protestat e dhunshme.

Rama nënvizon se edhe personat që ushtrojnë dhunë gjatë protestave, kur lëndohen, mbeten qytetarë që kanë nevojë për kujdes dhe trajtim mjekësor.

Reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:

“Motra e djalit nga Elbasani paska postuar tekstin bashkëngjitur, prandaj me shumë keqardhje më duhet t’i rikthehem kësaj teme për këdo që e lexon, shpërndan apo publikon postimin e saj.

Siç informova më parë, iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë ‘persona’ po e kam marrë unë personalisht dhe vajta e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër!

Madje i kam uruar të shkuara përpara se sa të nisej bashkë me të vëllanë nga salla VIP e aeroportit, prej ku nisem për jashtë edhe unë vetë, Presidenti i Republikës apo Kryetari i Kuvendit.

Aspak për protagonizëm, sepse protagonizmin këto ditë e kanë të gjithin dhunuesit dhe nxitësit e tyre, po për humanizëm, sepse kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar, shëruar.”

Lini një koment