E shtunë, 14 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Rama i beson drejtimin e strukturave të PS në Tiranë, Demo: Objektivi ynë është forcimi i partisë dhe komunikimi me çdo qytetar

Rama i beson drejtimin e strukturave të PS në Tiranë, Demo: Objektivi ynë është forcimi i partisë dhe komunikimi me çdo qytetar

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar pas vendimit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste për ta ngarkuar, së bashku me ministren Albana Koçiu, me drejtimin e organizimit politik të PS-së në Bashkinë e Tiranës.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Demo shprehu mirënjohjen ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, si dhe ndaj anëtarëve të Asamblesë Kombëtare për besimin e dhënë, ndërsa premtoi angazhim për forcimin e strukturave të partisë në të gjithë territorin e kryeqytetit.

“Faleminderit kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe anëtarëve të Asamblesë Kombëtare për besimin që na dhanë sot mua dhe Albana Koçiut për të drejtuar së bashku Partinë Socialiste në Bashkinë e Tiranës”, shprehet Demo.

Ai vlerësoi kontributin e socialistëve ndër vite, duke theksuar se puna e ardhshme do të ndërtohet mbi bashkëpunimin me deputetët dhe strukturat vendore të partisë.

Sipas Demos, prioritet do të jetë organizimi dhe forcimi i Partisë Socialiste në çdo lagje, njësi administrative dhe fshat të Tiranës, përmes një modeli pune të bazuar te përgjegjësia, puna në ekip dhe komunikimi i vazhdueshëm me qytetarët.

“Së bashku me Albanën, me skuadrën e deputetëve të Bashkisë së Tiranës dhe me të gjitha strukturat tona, do të angazhohemi për organizimin dhe forcimin e Partisë Socialiste në çdo lagje, njësi administrative e fshat të Tiranës”, deklaroi ai.

Demo nënvizoi se qytetarët presin më shumë nga institucionet dhe përfaqësuesit politikë, duke përmendur si prioritete përmirësimin e shërbimeve publike, sigurinë në shkolla dhe rritjen e përgjegjshmërisë së administratës ndaj qytetarëve.

Ai theksoi se puna politike duhet të matet me afërsinë ndaj njerëzve dhe me aftësinë për të adresuar problemet e tyre konkrete.

“Për mua, këtu matet edhe puna politike: sa pranë njerëzve jemi, sa i njohim problemet e tyre dhe sa këmbëngulim për t’i zgjidhur”, u shpreh ministri.

Në reagimin e tij, Demo vuri theksin edhe te nevoja për të dëgjuar kritikat dhe për të korrigjuar mangësitë aty ku ato ekzistojnë.

“Duhet të dëgjojmë edhe kur kritika është e fortë, të pranojmë atë që nuk funksionon dhe të punojmë për ta përmirësuar”, tha ai.

Ministri i Brendshëm shtoi se së bashku me deputetët, drejtuesit lokalë dhe anëtarësinë e PS-së do të ndërtohet një organizim ku çdo strukturë dhe individ do të ketë përgjegjësi të qarta, ndërsa prania në terren do të jetë e vazhdueshme.

Në përfundim, Demo theksoi se përgjegjësia e Partisë Socialiste është ndaj të gjithë qytetarëve të Tiranës, pavarësisht bindjeve të tyre politike, duke premtuar se besimi i dhënë do të përkthehet në organizim, punë konkrete dhe rezultate për kryeqytetin.

“Përgjegjësia jonë është ndaj të gjithë qytetarëve të Tiranës, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Besimin që morëm sot do ta kthejmë në organizim, punë konkrete dhe rezultate për Tiranën”, përfundon reagimi i tij.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment