Wednesday, 30 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Rama: Jo arrest me burg për dënime nën 5 vite. Përgjegjësi disiplinore për gjyqtarët që kopjojnë argumentet e prokurorit

Rama: Jo arrest me burg për dënime nën 5 vite. Përgjegjësi disiplinore për gjyqtarët që kopjojnë argumentet e prokurorit

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar disa nga ndryshimet e parashikuara në paketën e re të Kodit të Procedurës Penale, duke u ndalur te përdorimi i masave të sigurimit dhe veçanërisht te paraburgimi.

Rama tha se sistemi aktual e ka vendosur arrestin me burg si pikënisje, ndërsa paketa e re synon të ndryshojë këtë logjikë.

“Një kod që fillon me arrestin me burg dhe zbret më pas te masat më të lehta e mëson sistemin me këtë renditje dhe e shtyn të mendojë burgun si mjetin e parë. Pikërisht kësaj logjike i kundërvihet paketa e re. Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta dhe të arrijë te burgimi vetëm kur çdo masë tjetër rezulton e pamjaftueshme”, tha Rama.

Sipas tij, gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë fillimisht masat më të buta dhe të vendosë burgimin vetëm atëherë kur masat e tjera rezultojnë të pamjaftueshme.

Rama bëri të ditur se, sipas ndryshimeve të propozuara, për veprat penale me dënim deri në 3 vjet nuk do të ketë masa shtrënguese, ndërsa për veprat penale me dënim maksimal nën 5 vjet nuk do të aplikohet arresti me burg.

Ai theksoi gjithashtu se vetëm rëndësia e veprës penale nuk do të jetë më e mjaftueshme për vendosjen e masës së arrestit.

“Kështu, për shembull, për veprat penale me dënim deri në 3 vjet nuk do të ketë masa shtrënguese, ndërsa për veprat penale me dënim maksimal nën 5 vjet nuk do të ketë arrest me burg. Natyra e rëndë e veprës, e marrë më vete, nuk do të mjaftojë më. Rreziku duhet të jetë konkret, aktual dhe i mbështetur në fakte që kanë të bëjnë me vetë personin”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe te roli i gjykatës në vlerësimin e masave të sigurimit. Sipas tij, gjyqtari duhet të japë një vlerësim të pavarur dhe nuk mund të mjaftohet me përsëritjen e argumenteve të prokurorisë.

“Gjykata duhet të japë vlerësimin e saj të pavarur. Nëse ajo kopjon argumentet e prokurorit dhe nuk arsyeton se përse masat më të buta nuk mjaftojnë, atëherë vendimi do të shpallet i pavlefshëm dhe do të lindë përgjegjësia disiplinore e gjyqtarit”, tha Rama.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment