Rama në Asamblenë e PS-së: Kemi bërë gabime dhe faje, por kemi aftësinë të ringrihemi
Kryeministri Edi Rama ka pranuar se Partia Socialiste ka bërë gabime dhe faje gjatë rrugëtimit të saj politik, për të cilat, sipas tij, është ndëshkuar, por theksoi se forca e kësaj partie qëndron te aftësia për t’u ringritur dhe për të vijuar përpara.
Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e PS-së në Tiranë, Rama u shpreh se socialistët kanë dalë më të fortë edhe nga krizat e shkaktuara prej gabimeve të tyre, duke mos u dorëzuar përballë vështirësive.
“Kemi bërë gabime, padiskutim, kemi bërë edhe faje për të cilat jemi ndëshkuar, por ne nuk duhet të humbim aftësinë për t’u ngritur. Kemi dalë më të fortë edhe nga krizat që kemi shkaktuar me gabimet tona, sepse nuk u dorëzuam përballë situatave ku disa mbase menduan se ishte fundi ynë. Jemi përpjekur si të bëjmë më mirë edhe pasi kemi fituar, se e dimë që fitorja nuk na pret ne, por duhet marrë me punë dhe avantazh mbi kundërshtarët”, deklaroi Rama.
Kryeministri e lidhi më tej këtë qëndrim me procesin e integrimit evropian, duke thënë se objektivi i socialistëve është të garantojnë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Sot, kur dera e Evropës është e hapur, jemi këtu për t’u siguruar se ajo derë nuk do të mbyllet pa hyrë Shqipëria në të. Flamuri i Skënderbeut do të valëvitet në Evropë. Askush, asgjë, asnjëherë, ne nuk na ndal”, përfundoi Rama.