Rama: Program i ri për parkimet, zhvillimin e zonave ish-industriale dhe fuqizimin e turizmit lokal
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e një programi të ri për krijimin e kapaciteteve të parkimit në qytetet me qarkullim të lartë dhe në zonat turistike, si pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe shërbimeve për qytetarët dhe vizitorët.
Sipas Ramës, programi do t’u prezantohet të gjitha bashkive dhe do të mbështetet përmes disa mekanizmave financimi, duke përfshirë investimet nga Fondi i Zhvillimit, partneritetet me pushtetin vendor, si dhe mundësinë e bashkëpunimit me sektorin privat.
Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e rigjallërimit të zonave ish-industriale që do të shërbejnë për transformimin e tyre në zona me potencial ekonomik dhe urban.
“Do të lançojmë dhe mbështesim një program për të krijuar kapacitete për parkimet, sidomos për qytete me intensitet të lartë qarkullimi dhe zonat turistike. Programi i parkimeve do t’u çohet të gjitha bashkive me komponentët përkatës dhe do të kemi disa formula, si financimi direkt i punës për ndërtimin e tyre përmes Fondit të Zhvillimit dhe krijimit të partneriteteve me bashkitë, si në rastin e Beratit dhe Gjirokastrës, që kanë lehtësuar shumë këto destinacione të kërkuara. Një tjetër formulë është për t’u mundësuar bashkive që të mund të aksesojnë bankat me projekte specifike të parkimeve apo në bashkëpunim me subjektet private që të marrin pjesë në bashkëpunim në ato territore ku është marrë e drejta e pronës për të mund të angazhohen për të ndërtuar një parkim shumë më fitimprurës dhe miqësor me komunitetin.
Një tjetër element i rëndësishëm është shtylla që lidhet me zonat ish-industriale dhe për to kemi një plan të qartë pune me bashkitë. Është bërë identifikimi i tyre që janë të braktisura dhe kemi modele të krijuara që na japin mundësinë të kuptojmë se si do t’i zhvillojmë këto zona”, tha Rama.
Një tjetër komponent i programit lidhet me krijimin dhe zhvillimin e muzeve të identiteteve lokale. Rama tha se bashkitë do të kenë rol aktiv në këtë proces me synimin për të pasuruar ofertën turistike dhe për të promovuar trashëgiminë lokale.
“Komponenti tjetër është ai i muzeve të identiteteve lokale, ku është bërë një punë e mbledhjes së informacionit nga bashkitë, që do të kenë rol aktiv në këtë proces. Kjo do të ndihmojë në pasurimin e ofertës turistike.
Kompanitë e përbashkëta kanë filluar një proces, kemi një sërë bërthamash të krijuara mes pushtetit vendor dhe fermerëve apo sipërmarrësve në fshat dhe kjo paralelisht me programin tjetër që do të fillojë të jetë i hapur, “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde””, tha ai.
Rama u bëri thirrje të gjitha bashkive të angazhohen në hartimin dhe zbatimin e prioriteteve të programit kombëtar “Rilindja 2.0”, me qëllim që ai të reflektojë nevojat dhe objektivat e çdo komuniteti.
“Këto pika i sjell këtu për shkak se është e rëndësishme që të gjitha bashkitë të angazhohen për të bërë të mundur që manifesti i programit kombëtar “Rilindja 2.0” të jetë sa më i plotë dhe të gjejnë veten të gjithë me prioritetet dhe objektivat e tyre.
Domosdoshmëria e një riangazhimi për ta çuar në një nivel tjetër edhe ndërveprimin mes bashkive dhe qytetarëve, duke shfrytëzuar platformën dixhitale të bashkëqeverisjes, pasi në këtë fazë të vitit, me rritjen e ngarkesës për shkak të sezonit turistik, rriten edhe nevojat nga bashkia që të kujdeset për të gjitha shërbimet”, tha Rama.