Reforma territoriale: Mazniku: Bashki më të forta, shërbime më cilësore dhe më shumë mundësi nga fondet e BE-së
Reforma administrativo-territoriale dhe ndikimi i saj në ofrimin e shërbimeve për qytetarët ishin në fokus të prezantimit të bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, në Komisionin për Çështjet Ligjore.
Mazniku e cilësoi reformën një çështje që prek drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve, duke nisur nga pastrimi, ndriçimi dhe mirëmbajtja e rrugëve, deri te shërbimet në shkolla dhe furnizimi me ujë.
Gjatë prezantimit, ai solli në vëmendje punën e zhvilluar për rreth nëntë muaj nga Komisioni i Posaçëm, i cili u ngrit me përfaqësim të barabartë mes mazhorancës dhe opozitës, por me përpjekjet e vazhdueshme të opozitës për të penguar dhe bllokuar punën e komisionit. Sipas Maznikut, Komisioni zhvilloi 23 mbledhje dhe seanca dëgjimore, ndërsa në konsultimet publike në 11 qarqe morën pjesë mbi 3,500 qytetarë. Në proces u administruan gjithashtu 88 kërkesa, peticione dhe propozime.
“Për sa i përket procesit, siç jeni në dijeni, është krijuar Komisioni i Posaçëm nga Parlamenti. Ai është krijuar me dakordësinë e mazhorancës, me paritet midis mazhorancës dhe opozitës, me tetë anëtarë secili dhe me dy bashkëkryetarë. Pati një mandat prej nëntë muajsh ose dyqind e shtatëdhjetë e tre ditësh. Zhvilloi njëzet e tre mbledhje dhe seanca dëgjimore. Në këto u dëgjuan tre mijë e pesëqind plus qytetarë, të cilët morën pjesë në seanca në njëmbëdhjetë qarqe. U zhvilluan njëmbëdhjetë dëgjesa publike nga periudha 22 prill deri më 25 qershor. Pesëdhjetë e gjashtë bashki u referuan në dëgjesat e qarqeve, pesë seanca dëgjimore në Kuvend me kryetarët e bashkive dhe gjithashtu janë administruar tetëdhjetë e tetë kërkesa, peticione, propozime nga Komisioni, përfshirë këtu katërmbëdhjetë kërkesa, peticione për rend së pari të Kuvendit dhe opinione në platformë elektronike. Kjo është një përmbledhje e përgjithshme. Do të flas pak për mbledhjet e Komisionit, sepse ka disa elementë të rëndësishëm që na çojnë të kuptojmë pak më shumë mbi procesin. Kuvendi e krijoi Komisionin me një vendim të datës 27 tetor të vitit 2005, vendimi shtatëdhjetë e pesë. Më datën 30 tetor, vetëm tre ditë më pas, mazhoranca emëroi tetë anëtarët e saj. Opozita i emëroi anëtarët e saj më 6 nëntor, pra pesëmbëdhjetë ditë pas krijimit të Komisionit solli emrat e anëtarëve. Më datën 11 nëntor, vetëm katër ditë pas saj, u thirr mbledhja e parë e konstituimit të Komisionit, në të cilën opozita nuk erdhi. Gjashtë anëtarë të Partisë Demokratike nuk morën pjesë. Më pas, vetëm më 27 nëntor u realizua takimi i parë, ku u diskutua për kalendarin e punës, numrin e ekspertëve dhe sekretariatin. Nga ai moment opozita nuk mori pjesë në mënyrë sistematike për pothuajse tre muaj në Komision. Më 22 janar mbledhja nuk u zhvillua sepse mungoi kuorumi. Më datën 2 shkurt mbledhja nuk u zhvillua sepse mungoi kuorumi dhe vetëm më 11 shkurt, pasi u propozua nga ana e anëtarëve të Partisë Socialiste në seancë plenare kërkesa për ndryshimin e përbërjes së strukturës së Komisionit, opozita vendosi të marrë pjesë. Është e rëndësishme të theksoj këtu që nëntëdhjetë e shtatë ditë kaluan nga mbledhja e parë deri te mbledhja ku u miratua kalendari, ose njëqind e dymbëdhjetë ditë, për të qenë saktë, nga dita që u themelua me vendim të Kuvendit. Deri në mbledhjen e kalendarit kaluan njëqind e dymbëdhjetë ditë, ose dyzet e një për qind e kohës që iu hëngër Komisionit nga mungesa sistematike e opozitës. Më 11 shkurt u vendosën sekretari dhe emrat e ekspertëve. Më datën 16 shkurt u miratua kalendari dhe më pas kalendari i detajuar i takimeve vendore u miratua më 1 mars. Më 25 mars filloi faza e parë e konsultimeve dhe më 15 korrik u bë mbledhja e prezantimit të raportit, në të cilën nuk ia dolëm dot që të prezantonim raportin, as nga njëra palë, as nga pala tjetër, sepse opozita nuk ra dakord të miratojë rendin e ditës dhe, për rrjedhojë, mbledhja nuk u bë dot. Ndërkohë, gjithashtu janë bërë një seri dëgjesash si Komision: më datën 7 prill me ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore, zotin Demo; më datën 13 maj është dëgjesa me Elbasan-Kukës-Durrës; më 20 maj me Gjirokastër-Lezhë-Korçë; më 28 maj Berat-Fier-Shkodër dhe më 3 qershor Dibër-Vlorë dhe Tiranë, e cila nuk u zhvillua për mungesë të anëtarëve. Pjesa e dytë për të cilën është e rëndësishme të flasim janë dëgjimet publike. Janë zhvilluar dëgjimet publike në njëmbëdhjetë bashki, ku kanë qenë anëtarë të Komisionit nga ana e mazhorancës dhe opozitës, në njëmbëdhjetë qarqe, dhe tre mijë e pesëqind qytetarë. Është e rëndësishme të thuhet që në këtë moment ishim përpara një vendimi kyç: ose Komisioni të mbyllte funksionin e tij pa asnjë produkt, çka në fakt ishte puna për sa kohë që e kishim dakordësuar një Komision me paritet dhe me bashkëkryesi. Për fat të keq, ai ishte produkti i Komisionit. Pra, Komisioni është mbyllur pa produkt.
Por ne, një grup deputetësh socialistë, anëtarë të Komisionit, në respekt të punës që u bë, në respekt të punës së ekspertëve dhe rëndësisë që kjo çështje ka, ishim përpara dy zgjedhjesh. Njëra ishte që kjo punë të mos shkonte e gjitha dëm dhe tjetra ishte që të bënim në këtë moment një propozim specifikisht për pjesën e reformës territoriale, ndarjes së hartës, e cila lidhej ngushtësisht edhe me elementet e ciklit elektoral. Pjesa e dytë, për tre elementët e tjerë që kanë të bëjnë me funksionet dhe shërbimet, me financat vendore dhe rajonet, ishte që të merrnim një vit tjetër kohë për të punuar si Parlament, bashkë me qeverinë, për të detajuar në mënyrë specifike funksionet bashkiake, financat vendore dhe rajonet”, tha ai.
Një pjesë e rëndësishme e prezantimit iu kushtua gjetjeve të raportit të ekspertëve dhe rezultateve të reformës së vitit 2014. Mazniku theksoi se Shqipëria kaloi nga 373 njësi vendore në 61 bashki, duke e cilësuar këtë një konsolidim prej 84 për qind.
Sipas të dhënave të paraqitura prej tij, të ardhurat vendore për banorë janë rritur nga 2,684 në 13,292 lekë, ndërsa detyrimet e prapambetura janë ulur me 76 për qind. Shpenzimet vendore janë rritur nga 34 miliardë në 92 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore janë rritur nga 11 në 40 miliardë lekë.
“Një pjesë e madhe, ose pjesa më e madhe e elementëve që lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve, në fakt lidhen me pushtetin vendor”, tha Mazniku, duke nënvizuar se çdo ndryshim në mënyrën e organizimit të pushtetit vendor duhet të lidhet me objektivin për shërbime më të mira për qytetarët.
Në vijim të prezantimit, Mazniku shpjegoi edhe rrugëtimin e propozuar për reformën. Sipas tij, puna e Komisionit dhe e ekspertëve ka evidentuar nevojën për të trajtuar në mënyrë të veçantë hartën territoriale, ndërsa për funksionet dhe shërbimet, financat vendore dhe rajonet propozohet vijimi i punës për një periudhë tjetër, me qëllim detajimin e tyre.
Mazniku argumentoi se reforma duhet të shihet edhe në funksion të procesit të integrimit europian dhe të mundësisë që Shqipëria të përfitojë më shumë nga instrumentet dhe fondet që lidhen me këtë proces.
“Jo e nisur nga politika, jo e nisur nga qëllimet politike, por te tentativa për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët dhe për të përfituar maksimumin e mundshëm si Shqipëri nga hapat e integrimit europian”, u shpreh ai.