Rekordi historik i Skënderbeut, Egnatias i konfirmohet lajmi më i rëndësishëm në Europë
Sfida e raundit të katërt të Ligës së Konferencës mes Egnatias dhe Linkoln Red Imps është shumë e rëndësishme. Takimi që nis në orën 18:45 më 26 nëntor, vendos shumë edhe për edicionin e ardhshëm.
“Panorama Sport” raporton se nëse Egnatia fiton në “Air Albania”, do e ketë koeficientin e Europës të paktën 8,5 në edicionin e ardhshëm. Një koeficient historik që në Shqipëri e arrinte vetëm Skënderbeu në vitin 2017. Në rast barazimi, atëherë kampionët e Shqipërisë do e kenë automatikisht 7,5. Kujtojmë se aktualisht është 7 për rrogozhinasit. Deri tani vetëm Partizani i ishte afruar korçarëve, duke shkuar 7,5.
Këto llogari për Egnatian mbeten pa marrë parasysh, që janë edhe të paktën dy ndeshje të tjera për t’u luajtur. Kështu ekipi i Nevil Dedes synon që të kalojë koeficientin 10 dhe të bëjë historinë.
Rritja e koeficientit është vendimtare. Kjo pasi në këtë mënyrë, në rast se Egnatia shpallet sërish kampione, do të jetë në vazon e favoritëve për turin e parë të Champions. Kështu shmangen emra “big” dhe mund të sigurohet sërish faza e ligës që vjen pas kualifikueseve.