Russell: Nisëm mirë, por kampionati është i gjatë — gati për garën në Majemi
Formula 1 kthehet këtë fundjavë në Majemi, ku George Russell shikon një mundësi për të lënë pas garën e vështirë në Suzuka. Ai vlerëson se Mercedes ka kaluar një nisje të fortë të sezonit dhe se skuadra ka në dispozicion një paketë konkurruese, por thekson se sezoni është ende i gjatë.
Sipas telesport, britaniku pranoi se gara në Suzuka ishte sfiduese dhe përfundimi i katërt erdhi pas disa incidenteve të pafata. Russell po ashtu nuk e nënvlerëson shokun e skuadrës, Kimi Antonelli, i cili ka fituar dy garat e fundit dhe kryeson renditjen.
Russell tha se pushimi mes garave i shërbeu për t’u rikuperuar dhe se ndjehet i gatshëm për rifillim. Ai vlerësoi pistën e Majemit si një rrugë të shpejtë dhe të rrjedhshme që favorizon parakalimet, por paralajmëroi se moti — me stuhitë që kanë kërcënuar garën në vitet e fundit — mund të ndikojë në zhvillimin e garës.
Mercedes duhet të vazhdojë të shfrytëzojë momentumin dhe të menaxhojë mirë çdo sfidë gjatë kampionatit, ishte mesazhi i Russell teksa përgatitet për Majemin; raporton telesport.