E enjte, 5 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Politika›Senatori Gary Peters reagon për protestat në Shqipëri: të shmanget forca ndaj protestuesve paqësorë

Senatori Gary Peters reagon për protestat në Shqipëri: të shmanget forca ndaj protestuesve paqësorë

Senatori demokrat i Michiganit, Gary Peters, ka reaguar publikisht për zhvillimet e tensionuara në Shqipëri, duke kërkuar që autoritetet të shmangin agresionin ndaj protestuesve paqësorë, siç njofton Aktualitet.al.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Peters u shpreh thellësisht i shqetësuar për situatën në përshkallëzim në Shqipëri. Ai u bëri thirrje autoriteteve vendore të përmbahen nga agresioni ndaj protestuesve paqësorë, ndërsa të gjithë ata që ndodhen në terren të punojnë për uljen e tensioneve dhe parandalimin e dhunës së mëtejshme.

Sipas senatorit, populli shqiptar meriton një qeveri që respekton të drejtat e tij themelore dhe mbron shtetin e së drejtës. Për këtë arsye, ai shtoi se do të vazhdojë të avokojë për paqe dhe drejtësi për të gjithë shqiptarët.

Peters theksoi gjithashtu se zhvillimet në Shqipëri ndiqen nga afër edhe në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në Michigan, i cili është shtëpia e një komuniteti të fortë dhe të gjallë shqiptaro-amerikan, për të cilin këto zhvillime janë shumë personale.

Gary Peters përfaqëson shtetin e Michiganit në Senatin e SHBA-së që prej vitit 2015, si anëtar i Partisë Demokratike, dhe ka mbajtur role në komisione të rëndësishme të Senatit, përfshirë atë për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjet Qeveritare. Reagimi i tij vjen në një moment kur mënyra si autoritetet po u përgjigjen protestave po tërheq vëmendje edhe jashtë Shqipërisë.

Lini një koment