Sunday, 9 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaSHBA – 60 mijë banorë urdhërohen të evakuohen nga zjarret që kërcënojnë shtetin e Uashingtonit

SHBA – 60 mijë banorë urdhërohen të evakuohen nga zjarret që kërcënojnë shtetin e Uashingtonit

– Rreth 60 mijë banorë janë urdhëruar të evakuohen pasi zjarret e fuqishme pyjore po kërcënojnë qytetin e Spokane, në shtetin amerikan të Uashingtonit.

Autoritetet lokale bëjnë të ditur se flakët kanë shkatërruar rreth 600 ndërtesa, përfshirë banesa dhe biznese, ndërsa situata mbetet kritike.

Kompleksi i zjarreve, i njohur si “Spokane Area Fire”, përbëhet nga tre vatra të veçanta që vazhdojnë të përhapen.

Shefi i zjarrfikësve të Spokane, Tom Williams, deklaroi se zonat nën urdhër evakuimi mbeten drejtpërdrejt të rrezikuara nga avancimi i flakëve.

Sipas ekipit federal të menaxhimit të incidenteve, deri të dielën zjarret kishin përfshirë rreth 2 180 hektarë tokë.

Kushtet e motit, të karakterizuara nga temperatura të larta, thatësirë dhe erëra të forta, kanë vështirësuar ndjeshëm përpjekjet për vënien e flakëve nën kontroll.

Kryetarja e bashkisë së Spokane, Lisa Brown, e cilësoi situatën si katastrofën natyrore më shkatërruese që ka përjetuar ndonjëherë rajoni.

Ndërkohë, rreth 10 mijë konsumatorë kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të dëmtimeve në rrjetin e furnizimit.

Guvernatori i shtetit të Uashingtonit, Bob Ferguson, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa ka kërkuar ndihmë federale për përballimin e krizës.

Në të gjithë shtetin raportohet se mbi 1 100 hektarë janë përfshirë nga zjarret, duke e bërë këtë një nga sezonet më të rënda të zjarreve në vitet e fundit.

Pavarësisht dëmeve të mëdha materiale, autoritetet njoftojnë se deri më tani nuk janë raportuar viktima apo të plagosur.

Ekipet e emergjencës vazhdojnë të punojnë për mbrojtjen e zonave të banuara dhe për të ndihmuar mijëra banorë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre./  /Ad.Ab./  a.jor.

Lini një koment