SHBA – FBI arreston babain e Meghan Markle për materiale abuzimi me të mitur
UASHINGTON, 6 nëntor /ATSH-DPA/ – Thomas Markle Sr, babai i dukeshës së Suseksit, Meghan Markle, është arrestuar nga agjentët e Byrosë Federale të Hetimit (FBI) në Florida, nën akuzën e posedimit të materialeve që përmbajnë imazhe të abuzimit seksual me fëmijë, përfshirë fotografi që dyshohet se e paraqesin atë me vajza të mitura.
Ai përballet me një akuzë federale dhe pritet të dalë sot para gjykatës në Tampa të Floridës.
Autoritetet amerikane deklaruan se çështja është shumë serioze dhe se do të ndiqet penalisht në përputhje me ligjin federal.
Hetimi nisi pas një denoncimi të bërë muajin e kaluar nga djali i tij, Thomas Markle Jr, i cili pretendoi se kishte zbuluar imazhe të paligjshme mes sendeve personale të të atit në qytetin Cebu të Filipineve. Pas këtij denoncimi, agjentët e FBI-së kontrolluan dy ambiente magazinimi në zonën e Los Anxhelosit, të cilat Markle i kishte marrë me qira që prej vitit 2008.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth 78 objekte, përfshirë diapozitiva, negativë fotografikë dhe libra që dyshohet se përmbajnë materiale të abuzimit seksual me të mitur.
Sipas hetuesve, disa prej imazheve paraqesin një burrë të identifikuar nga një dëshmitar si Markle, në praninë e vajzave të mitura të zhveshura.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, konfirmoi arrestimin dhe deklaroi se hetuesit kishin identifikuar dhe sekuestruar materialet e dyshuara.
Ndërkohë, Thomas Markle, i cili jetonte në një qendër kujdesi për persona me demencë në SHBA, ka mohuar më parë se ka poseduar materiale të tilla, megjithëse ka pranuar se kishte paguar për marrëdhënie seksuale në Filipine.
Nëse shpallet fajtor për akuzën federale, ai mund të përballet me të paktën 20 vjet burg.
Pretendimet ndaj tij do të shqyrtohen nga gjykata.
Arrestimi ka rikthyer vëmendjen te marrëdhëniet e ndërprera prej vitesh mes Markle dhe vajzës së tij, Meghan, e cila është distancuar prej tij që përpara martesës me princin Harry në vitin 2018.
Dukesha është shprehur se është thellësisht e tronditur nga akuzat.
Ajo kishte zbuluar më parë se në vitin 2019 kishte marrë, përmes Policisë Metropolitane të Londrës, një letër që përmbante pretendime shqetësuese lidhur me të atin.
Sipas raportimeve, policia e kishte këshilluar të mos fliste publikisht për këtë çështje në atë kohë.
Policia Metropolitane ka pranuar se informacioni i përfshirë në letër nuk ishte përcjellë te agjencitë e tjera ligjzbatuese, ndërsa mënyra e trajtimit të rastit po hetohet nga Zyra e Pavarur për Sjelljen e Policisë (IOPC).